Ministria e Mbrojtjes njoftoi para pak çastesh se efektivë të Forcave të Armatosura, të forcave zjarrfikëse, policisë, vullnetarë dhe shërbimit pyjor, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë angazhuar në disa operacione për shuarjen e zjarreve në zona të ndryshme të territorit të vendit.
Është bërë e mundur të fiken 8 vatra zjarri, 3 në qarkun e Gjirokastrës, 1 në Shkodër, 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 vatër në Fier, por mbeten aktive ende 4 vatra zjarri.
Në fshatin Legjin, në njësinë administrative Orosh në Mirditë vijon puna për shuarjen e flakëve në një sipërfaqe pyjore me pisha. Po ashtu po punohet për të vënë nën kontroll flakët në një sipërfaqe me bimësi dhe shkurre, në fshatin Draç, Kepi i Rodonit në njësinë Ishëm, në Durrës. Në operacion janë të angazhuar të gjitha mjetet zjarrfikëse duke përfshirë dhe zjarrfikësen e portit Durrës dhe të Shijakut.
Puna e efektivëve është vështirësuar për shkak të terrenit dhe erës së fortë.
Një tjetër operacion po vijon në fshatin Pilur në Himarë, ku flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre si dhe në fshatin Qesarat të njësisë administrative Livadhja, në bashkinë Finiq, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë.
“Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes i bëjnë thirrje pushtetit vendor për më shumë angazhim gjatë këtij sezoni veror, për shkak edhe të temperaturave të nxehta që priten në ditët në vijim, të angazhojnë veç forcave zjarrfikëse të gjitha strukturat e mbrojtjes civile në nivel vendor. Po ashtu u bëhet thirrje për një angazhim në kohë edhe vullnetarëve dhe banorëve të zonave, të cilët duhet të raportojnë pa vonesë vatrat e zjarrit” – thuhet në njoftim.