400 milionë euro shpenzime në vit në bare e restorante, por numri i tyre është në rënie

Baret dhe restorantet kanë qenë një biznes i preferuar për shqiptarët, por ky model është zbehur vitet e fundit për dy arsye. Së pari, pandemia në vitin 2020 goditi rëndë këtë aktivitetet. Së dyti, mungesa e fuqisë punëtore dhe rënia e konsumit si rrjedhojë e emigracionit po japin efekt më të qëndrueshëm negativ.

Sipas INSTAT, qarkullimi vjetor i bareve dhe restoranteve në 2021 ishte 47.2 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë euro, që konsumatorët vendas apo dhe turistët e huaj kanë shpenzuar për të konsumuar në bare e restorante. Nga të dhënat rezulton se çdo shqiptar shpenzon rreth 145 euro në vit.

Në krahasim me 2020-n, të ardhurat e këtij aktiviteti u rritën me 17%, por ato mbetën 9% më të ulëta sesa para pandemisë. Të dhënat tregojnë se deri në vitin 2019 shpenzimet në bare e restorante ishin rritur me shpejtësi, duke kulmuar në 52 miliardë lekë (430 milionë euro) në 2019-n.

Jo vetëm shpenzimet e qytetarëve për bare e restorante janë ulur. Biznesi i bareve nuk duket më aq tërheqës. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i ndërmarrjeve që veprojnë në akomodimin ushqimor është ulur vazhdimisht që nga viti 2016, kur arriti në gati 19 mijë.

Ndërsa një pjesë e kësaj tendence lidhet me hapjen e zinxhirëve të mëdhenj të bareve, nga viti 2019 ka rënë edhe numri i punonjësve. Në 2021-n kishte 14.7 mijë punonjës, që është numri më i ulët që nga viti 2014.

Rënia e biznesit të bareve e restoranteve ka sjellë edhe tkurrje të fitimeve. Norma e fitimit për sektorin e akomodimit ushqimor ishte 13.6% në vitin 2021, nga 25.1% në 2011-n. (shiko grafikun: Norma e fitimit, Shërbimi ushqimor).

Për kthimin në normalitet të sektorit shoqata pohon domosdoshmërinë e plotësimit të 15,000 vendeve të lira të punës./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *