Pas fazës së parë që kap 130 milionë euro, investimit do t’i shtohen dhe disa qindra millionë euro të tjera, ndsa numri i të punësuarve do të arrijë në 4000 persona.
Kompania gjermane e prodhimit të makinave elektrike Next.e.GO Mobile nisi sot ndërtimin e fabrikës së tretë të saj në Maqedoninë e Veriut. Prodhuesi gjerman i automjeteve elektrike dhe inovative, pronë e familjes së biznesmenit dhe filantropit Lazim Destani, vendosi gurin e themelit në Tetovë, konkretisht në Zonën e Lirë Ekonomike, ku dhe u nënshkrua marrëveshja zyrtare me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke e futur këtë shtet në hartën e prodhimit botëror të këtyre automjeteve.
Ky investim i njërës prej kompanive pronë e tij, përkoi dhe me 50-vjetorin e emigrimit për herë të parë në Gjermani të Z.Destani, i cili në fjalën e tij tha se, tashmë me këtë investim por edhe të tjera në vijim, bëjmë që të rinjtë tanë të mos largohet nga vendi i tyre, por edhe një pjesë e të tjerëve që kanë studiuar në vende të ndryshme të BE mund të kthehen.
Në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit të fabrikës që do të përfundojë në mesin e vitit 2022 dhe që në fazën e parë do të njohë një investim prej 130 milionë eurosh dhe do të punësojë rreth 1000 persona, merrnin pjesë Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri, Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, Ministri i Financave të Maqedonisë, Fatmir Besimi, ai i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Zyrës së Financave, të Next.e.GO Mobile, respektivisht Ali Vezvaei dhe Eelco Van Der Leji, si dhe përfaqësues nga Diaspora, zyrtarë të tjerë nga Maqedonia e Kosova e qindra të ftuar nga familja Destani.
Lazim Destani, njëherësh Kryetar i Bordit Mbikqyrës të kompanive të grupit të bisnezeve, tha se, “ky projekt nuk është investimi ynë i parë në Maqedoninë e Veriut dhe rajonin tonë, por gjithsesi është investimi ynë më i veçantë deri më tani. Arsyeja që më gëzon më së shumti është fakti që në këtë fabrikë do të punësohen shumë të rinj e të reja”.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, data e inaugurimit të punimeve për ngritjen e kësaj fabrike në Tetovë përkon me 21-vjetorin e Marrëveshies së Ohrit, për familjen Destani, ky vit ka edhe një tjetër simbolikë dhe kuptim.
“Si sot para 50 vitesh mora rrugën e mërgimit drejt Gjermanisë për më shumë mundësi pune, e sot ndihem shumë i lumtur që po sjellim mundësitë e Gjermanisë këtu”, theksoi Z.Destani në fjalën e tij, duke shtuar se, “ashtu siç e kam përmendur, po e përsëris edhe me këtë rast se afaristët, sidomos investitorët nga diaspora, e kanë për obligim të realizojnë investime në rajonin tonë. Andaj le të punojmë edhe më shumë për ta mbajtur rininë tonë këtu”.
“Dita e sotme për mua është një ditë historike. Është e këtillë, pasi biznesi ynë e sjell edhe këtu një industri inovative si kjo e prodhimit të makinave elektrike, makinat e së ardhmes. Në takimet periodike, gjithmonë i kam kërkuar bordit të kompanive dhe grupeve tona të biznesit, që investimet në trojet tona të jenë largpamëse, të mos krijojmë konkurencë, por të sjellim risi, t’i shërbejmë të ardhmes dhe qëndrueshmërisë”, tha Destani, duke mos e fshehur as lumturinë dhe krenarinë për djemtë që drejtojnë bizneset tashmë ndërkombëtare e të suksesshme në të gjithë botën. “Bashkëshortja ime, Rasimja, dhe unë ndihemi të lumtur që edukimi dhe porositë tona kanë zënë vend tek djemtë tanë dhe me veprat e tyre na bëjnë shumë krenar, sidomos me përkushtimin e tyre ndaj vendlindjes”, tha Destani, i cili nuk la pa përmendur e falënderuar “gjithë ekipin tonë që punon për këtë projekt, si dhe autoritetet zyrtare të vendit për mbështetjen pa rezervë”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili nënshkroi dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Next.e.GO Mobile për ndërtimin e fabrikës në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë, shprehu kënaqësinë e tij për një investim kaq të madh në këtë shtet, i cili sipas tij, do t’i sjellë vendit mundësi punësimi për rininë, si dhe është një mundësi e mirë, pasi do t’i shërbejë dhe përshpejtimit për integrimin në Bashkimin Europian. “Me këtë investim, i cili që në fazën e parë është 130 milionë euro, konfirmojmë se Maqedonia e Veriut është një shtet i qëndrueshëm, i besueshëm dhe vendi i duhur për investime. Deri tani kemi pasur kompani që kanë prodhuar pjesë të ndryshme makinash, por E.Go është makina e parë që do të prodhohet e plotë këtu. Kjo bën, që veç fabrikës, do të ketë efekt edhe në shërbimet zinxhir, duke e rritur e forcuar ekonominë tonë”, tha Kovaçesvki, i cili falenderoi dhe familjen Destani, që vendosi të ndërtojë fabrikën e tretë në Maqedoni e konkretisht në Tetovë, pas dy të tjerave, asaj kryesore në Gjermani dhe të dytës në Bullgari.
Sipas kryeministrit maqedonas, fabrika që do të ndërtohet në Tetovë, do të furnizojë me makina elektrike vendin, rajonin por do të shpërndahen në të gjithë botën, duke e bërë Maqedoninë e Veriut edhe një shtet që i shërben të ardhmes, mbrojtjes se klimës e mjedisit. “Ky investim do të ndryshojë dhe përmirësojë jetesën e komunitetit lokal e tregon, është shenjë që Maqedonia e Veriut është e aftë të thithë investime kaq të rëndësishme ndërkombëtare. Urime familjes Destani dhe E.Go Mobile për fabrikën në Tetovë”, tha Kovaçevski.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në fjalën e tij tha se, “sot ndajmë një gëzim të madh, prodhimin e makinave elektrike në vendin tonë. Ka qenë një punë e angazhim i madh i Z.Lazim Destani, që ky investim të vendoset në vendin tonë. Mirënjohje kompanisë që zgjodhi 13 gushtin, datën e Marrëveshies së Ohrit për nisjen e ndërtimit të kësaj fabrike”.
Ndërsa Ministri i Finanave të Maqedonisë, Fatmir Besimi, duke përsëritur fjalën e Z.Destani tha “është mjaft e rëndësishme për vendin tonë, që diaspora të sjellë këtu investimet e veta”. “Kur kemi diskutuar për herë të parë dhe në vijim për këtë projekt, ka pasur shumë skeptikë, por edhe inkurajues. Por, ne, së bashku ia arritëm dhe ku jemi sot, kur po inaugurohet dhe nisja e punimeve”, tha Besimi.
Kolegu i tij, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi e cilësoi si ditë historike për Maqedoninë e Veriut. “Në ekonomi është shprehja e efektit të topit të borës. Me lëvizjet e saj ajo bëhet më e madhe dhe më e shpejtë. Investimi prej 130 milionë eurosh është shtysa dhe nxitja e shumë të tjerëve, është lëvizja që e fut vendin tonë në listën e investimeve të gjelbra”, tha Bekteshi, sipas të cilit, “ndërtimi i fabrikës së E.Go Mobile rrit dhe bashkëpunimin mes arsimit të lartë dhe industrisë, pasi domosdoshmërisht do të duhet të përgatiten njerëz të aftë për të punuar në këtë industri”.
Për Ministrin e Ekonomisë, investime të tilla rrisin standardin e jetesës që lidhen dhe me axhendën e gjelbër. “Familja Destani është familje e suksesit dhe një shembull që duhet ndjekur, është familje lider në vendimet që ndërmerr. Ndaj, të gjithë në diasporë, të sjellin sukseset e tyre këtu”, shtoi Bekteshi.
Drejtori i Përgjithshëm i Next.e.GO Mobile, Ali Vezvaei, e vuri theksin në rëndësinë e investimeve të gjeneratës së re. “Kjo është një ditë historike për ne, për Maqedoninë e Veriut dhe për gjeneratat e ardhshme, është një mundësi për biznesin, i shërben Maqedonisë dhe nuk është e kufizuar për zonën e Tetovës”, tha Vezvaei, i cili falenderoi dhe qeverinë për mbështetjen si dhe Z.Destani për pasionin e tij të përheshëm në mbështetje të së ardhmes së rinisë. “Kjo fabrikë e jona është e treta, pas Gjermanisë dhe Bullgarisë. Teknologjia është e ardhmja e njerëzimit dhe këto sfida janë mision për ne në E.Go. Kjo fabrikë do të shfytëzojë resurset njerëzore të vendit, duke u krijuar kushte e mundësi pune, ndërsa do ta vendosë Maqedoninë në hartën e makinave elektrike. Do të sjellë të ardhme më të mirë për të rinjtë e të rejat e shtetit tuaj“, tha Vezvaei.
Ndërsa Drejtori i Financës së E.Go Mobile, Eelo Van Der Leji tha para të pranishmëve se, “ideja e kompanisë së prodhimit të makinave elektrike dhe innovative, është qëndrueshmëria për qytetarët. E.Go janë makina civile dhe deri tani kemi prodhuar 30 mijë makina për një vit, që nuk lëshojnë emetime e gazra në mjedis, që janë të pajisura me teknologjinë më inovative”.
Në fazën e dytë, mësohet se do të investohen dhe disa qindra milionë euto të tjera dhe numri i të punësuarve do të arrijë në 4 mijë.
Next.e.GO Mobile është një nga kompanitë më të reja të ND Group, pronë e familjes së filantropit dhe biznesmenit Lazim Destani, e cila po njeh rritje të menjëhershme në tregun e automobilave elektrik. Veç saj, është dhe kompania Ecolog, që është dhe shtylla financiare dhe më e njohura deri tani e gjithë grupit, kompania EcoCare, si dhe shumë të tjera pjesë e të njëjtës ombrellë.