50 deputetë kanë firmosur për të nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në një dokument 41 faqësh, mazhoranca ka dhënë argumentet se përse duhet shkarkuar presidenti Ilir Meta. Sipas tyre, Meta ka shkelur Kushtetutën, që ka nisur që me marrjen e detyrës së tij si kreu i shtetit dhe ka arritur kulmin në fushatën zgjedhore.
“Në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore, Meta ka kryer në mënyrë të përsëritur disa akte dhe sjellje që në vlerësimin tonë përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto akte janë bërë shkak për ndasi sociale dhe politike, dhe nuk i kanë shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit. Këto akte konsistojnë në sjellje dhe mesazhe publike të tij në kundërshtim me parimin e unitetit. (…)Meta nuk ka garantuar unitetin publik, ka nxitur në terma të tilla të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes dhe lirinë personale deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve duke përfshirë vënien në rrezik të jetës se efektivëve të Policisë së Shtetit”, shkruhet në dokument.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë me dije procedurat që pritet në ditët në vijim për shkarkimin e Ilir Metës. Balla tha në një prononcim për mediat se mazhoranca është e vendosur të vijojë me procesin e shkarkimit të Presidentit të Republikës, pasi sipas tij, ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme. Si një prej firmëtarëve të dokumentit për nisjen e procesurës së shkarkimit, Balla tha se në këtë dokument janë paraqitur të gjitha provat e nevojshme dhe të domosdoshme për ta iniciuar këtë proces.
“Besoj që jeni vënë në dijeni që prej ditës së premte është institucionalizuar kërkesa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, depozituan kërkesën për fillimin e procedurës së shkarkimit Presidenti i Republikës, përpara dhe gjatë fushatës ka kryer veprime që shkelin Kushtetuetën e Shqipërisë. Kemi pasur edhe një Rezolutë të mëparshme që i kërkonim Presidentit të rikthehej në binarët e Kushtetutës. Presidenti nuk e ka respektuar këtë rezolutë të vitit 2019, dhe ka vijuar me shkeljen e Kushtetutës. Ndaj Kuvendi do të shprehet me vendim për këtë. Unë besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin për ta shqyrtuar këtë proces”, tha Balla.