4200 firmat/ Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike mblidhet më 11 dhjetor

Zbardhet njoftimi për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 11 dhjetor. Njoftimi shoqëronte 4200 firmat e mbledhura për thirrjen e forumit më të lartë të PD. Në njoftim përcaktohet arsyeja e thirrjes së këtij forumi dhe rendi i ditës.

NJOFTIM MBI THIRRJEN E KUVENDIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË

DREJTUAR: Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Edi Paloka

Në kushtet kur Partia Demokratike e Shqipërisë po përjeton krizën më të rëndë të identitetit dhe demokracisë së brendshme që nga koha e themelimit të saj, për shkak të dështimeve në aksionin e saj politik dhe mosfunksionimit të forumeve të saj vendimmarrëse, si dhe

-kur brenda Partisë Demokratike hapësirat e lirisë dhe të demokracisë po asgjësohen qëllimisht dita ditës,

-kur forca kryesore e opozitës në vend nuk arrin të përmbushë misionin e saj për të ndalur keqqeverisjen e vendit dhe për t’u kthyer në shpresë të qytetarëve dhe në alternativë serioze qeverisëse,

-kur rikthimi i ushtrimit të sovranitetit nga anëtarësia, brenda familjes tonë politike, është imperativ për t’i dhënë fund uzurpimit të partisë nga një grup njerëzish me qëllime dhe agjenda tërësisht personale,

Me qëllim rikthimin në legjitimitet moral, politik dhe statutor të funksionimit të Partisë Demokratike, për ta rikthyer atë në shpresë për njerëzit e lirë të këtij vendi, ne, një grup deputetësh, anëtarësh Kryesie, anëtarësh të Këshillit Kombëtar, kryetarë degësh, grupseksionesh, seksionesh, delegatë të organit më të lartë drejtues të Partisë, Kuvendit Kombëtar, në përputhje me parashikimet e nenit  43 pika 2 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, marrim përgjegjësinë statutore për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në datën 11 dhjetor 2021 ora 11.00, me rend dite si më poshtë:

-Miratimi i ndryshimeve statutore sipas propozimeve konform nenit 43/4 dhe 60 të Statutit të PDSH për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimmarrjen në forumet e Partisë Demokratike. Analiza e qëndrimeve dhe akteve të Kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike.

-Vendimmarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të anëtarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

-Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

-Të ndryshme.

Kuvendi Kombëtar do të mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Tiranë.

Në përmbushje të detyrimit, kërkesave dhe afateve statutore, sipas dispozitës së lartpërmendur, bashkangjitur do të gjeni kërkesat tona të nënshkruara në cilësinë e delegatëve të Kuvendit Kombëtar, për thirrjen e Kuvendit në datën 11.12 2021, që ju drejtohen ju si drejtues i zgjedhur i Këshillit Kombëtar, i cili sipas statutit është organi më i lartë drejtues i Partisë Demokratike në periudhën midis dy Kuvendeve.

Ky njoftim do të bëhet, me të njëjtat modalitete të njoftimit publik, edhe për pjesën  e mbetur të delegatëve të Kuvendit Kombëtar.

Për shkak të sensitivitetit të çështjes si dhe të të dhënave personale të përmbajtura në formularët e thirrjes së Kuvendit Kombëtar, jemi besimplotë se do të mirëkuptoni kërkesën tonë për trajtimin e të dhënave bashkëlidhur në përputhje me disponimet e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kompetencën për verifikimin e mandateve të delegatëve që thërrasin Kuvendin Kombëtar sipas statutit, si dhe të delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvend, e ka drejtpërdrejt dhe vetëm Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nëpërmjet organizmave të tij.

ImageImage

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *