Ekonomia po qendërzohet vit pas vit në kryeqytet teksa qarqet po shënojnë rënie të peshës në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) kombëtar.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se nga viti 2016 në vitin 2021 vetëm ekonomia e qarkut të Tiranës ka rritur peshën e saj në ekonominë kombëtare, Durrësi është pothuajse në vendnumëro dhe 10 qarqe të tjera kanë pësuar rënie të kontributit në ekonominë e përgjithshme.
PBB -ja në vlerë shënoi rreth 15.1 miliardë euro në vitin 2021, teksa 6,6 miliardë euro ose 44% ishin të përqendruara në qarkun e Tiranës. Nga viti 2016 deri në vitin 2021 pesha e ekonomisë së kryeqytetit në ekonominë kombëtare është rritur me 4 pikë përqindje.
Pas Tiranës qarku me kontributin më të lartë në PBB është Fieri, me 10.9 për qind të totalit. Pesha e Fierit në ekonominë kombëtare ka rënë me 0.2% nga 2016-ta. Qarku i tretë me peshën më të lartë në PBB është Durrësit me 10.1 % me PBB prej 1,5 miliardë eurosh. Pesha e Durrësit në ekonominë kombëtare u rrit me vetëm 0.2 pikë përqind në krahasim me vitin 2016.
Në krahun tjetër qarku me kontributin më të ulët në ekonomi është Kukësi. Qarku verior i cili është edhe më i varfri në vend kishte një PBB prej vetëm 237 milionë eurosh në vitin 2021, ose 1.6% të ekonomisë kombëtare. Pesha e Kukësit në ekonominë e vendit u zvogëlua me 0.2 pikë përqind nga viti 2016.
Pas Kukësit, Gjirokastra është qarku më kontributin më të ulët në ekonomi me një PBB vetëm 316 milionë eurosh më 2021. Pesha e këtij qarku në ekonominë kombëtare u gjatë 2026-2021 me 0.7 pikë përqind.
Pas Gjirokastrës, Shkodra, Lezha dhe Berati kishin rënien më të madhe të peshës në ekonominë kombëtare prej vitit 2016 deri më 2021.
Rënia e shpejtë e ekonomisë së qarqeve dhe përqendrimi i saj në Tiranë po tregon për një shtim të shpejtë të pabarazisë. Thellimi i pabarazisë ekonomike shërben si arsyeja më e fortë për shpopullimin e qarqeve drejt Tiranës apo jashtë vendit.
Në këto tre dekada tranzicioni ekonomia kombëtare ka ecur pa një model të qartë zhvillimi, ndërsa për qarqet konceptet e modelit e zhvillimit rajonal duket se janë të hershme.
Po të analizohet me detaje ekonomia e qarqeve do të kishte më shumë përkeqësim më 2021 nëse sektori publik nuk do të kishte rritur peshën e tij. Në shumicën e qarqeve sektori publik ka zgjeruar peshën më tej nëpërmjet rritjes së punësimit, ndërsa kanë përparuar me tej degët e ekonomisë me produktivitet të ulët të tilla si bujqësia. /Monitor