Emrat/ 45.5 kg kokainë në Portin e Durrësit, prangoset administratori i firmës dhe agjenti doganor

Dy persona janë arrestuar në Durrës, pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike.

Shtetasit Arben Ferizi, administrator kompanie dhe Egert Vargu agjent doganor akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Arrestimi i këtyre shteave ka ardhur si rezultat nga aksioni antidrogë në Port, ku u sekuestrua 45.5 kg kokainë e ardhur nga Brazili përmes një kontejneri me mish pule.

Njoftim i Policisë:

Durrës

Vijon operacioni policor antidrogë i koduar “Tranziti”, gjatë të cilit, mbrëmjen e datës 15 qershor 2022, Policia sekuestroi 45.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kokainë në një kontenier në Portin e Durrësit. Pas hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vihen në pranga administratori i kompanisë dhe një agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e tentativës për trafikim të një sasi të madhe të kokainës që vinte tranzit nga Brazili për në Maqedoninë e Veriut, e cila u kap falë informacioneve që dispononte Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve të thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, i shtetasve:

  1. F., 30 vjeç, banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil;
  2. V., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

Mbrëmjen e djeshme, në Portin e Durrësit, Task Forca që vepron 24/7 në Portin e Durrësit, e cila përbëhet nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut dhe në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë, bazuar në informacionet që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, ka ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *