Analizë/ Rreziqet e vaksinimit të detyrueshëm

Nga Wolfgang Münchau – Corriere della Sera

 Fenomeni i vetëm i krahasueshëm në irracionalitet me teoritë e komplotit të të ashtuquajturve no-vax është vaksinimi i detyrueshëm, i cili do të aplikohet në Itali. Po përdor termin “irracionalitet” për një arsye specifike: vaksinat ofrojnë mbrojtje të fortë kundër sëmundjeve më serioze të shkaktuara nga koronavirusi, por vetëm mbulim të moderuar kundër përhapjes së mëtejshme të variantit Delta. Nëse jeni pronar i një restoranti, do të ishte e paarsyeshme të pranonit vetëm klientët e vaksinuar në restorantin tuaj, sesa të gjithë ata që i janë nënshtruar një testi antikovid, me rezultate negative, në 24 orët e fundit. Asnjë restorant, as drejtor muzeu, në posedim të plotë të aftësive të tij racionale, nuk do të ëndërronte t’i diskriminonte këto dy lloje klientësh.

Mënyra më racionale për të parandaluar që njerëzit e pavaksinuar të përhapin virusin është të kërkosh testime në punë, ose para se të hysh në një restorant. Dhe t’i bësh ata ta paguajnë testin nga xhepi i vet. Duke vepruar kështu, këta njerëz do të kishin një shtysë monetare për t’u vaksinuar, duke rritur përqindjen e të imunizuarve.

Por pse disa janë gati të shkojnë përtej kësaj duke imponuar detyrimin e vaksinimit? Nuk dua të them që vaksinimi i detyrueshëm është iracional në të gjitha rrethanat. Por në këtë rast të veçantë, në të cilin mbrojtja që ofron vaksina kundër përhapjes së infeksionit është relativisht modeste, dhe ekziston mundësia e kryerjes së testit për të përcaktuar nëse dikush është pozitiv, nuk ka kuptim të imponohet detyrimi për t’u vaksinuar. Shpjegimi im i vetëm është se ithtarët e vaksinimit të detyrueshëm janë aq të ekzaltuar, po aq sa ata që i kundërshtojnë vaksinat. Më kujtohet çmenduria e fushatës së dytë të referendumit në Britani, përkrahësit e së cilës ishin nën iluzionin e përmbysjes së rezultatit të referendumit të vitit 2016. Shumë prej tyre sot e kuptuan se mund të kishin arritur një Brexit shumë më të butë nëse do të ishin rreshtuar me opozitën ndaj qeverisë. Ndërkohë, ata gjithashtu kanë dëmtuar Partinë Laburiste dhe u kanë dhënë shumicën konservatorëve për të paktën dekadën e ardhshme. Ishte racionale të kundërshtohej Brexit: por mbështetja për referendumin e dytë ishte një krejtësisht çmenduri. I njëjti parim vlen edhe për vaksinimin e detyrueshëm. Cilat pasoja politike mund të rrjedhin nga detyrimi iracional për t’u vaksinuar?

Tani për tani, kundërshtarët e fortë të vaksinave përfaqësojnë një pakicë të vogël të popullsisë. Në Gjermani, ata korrespondojnë me votuesit e djathtë të partisë AfD. Kjo e fundit mbledh në radhët e saj eksponentët e së djathtës ekstreme me simpati neo-naziste dhe aktualisht rrotullohet te 11 për qind e votuesve. Numri i atyre që janë kundër vaksinës pothuajse i barabartë me ta, ndoshta pak më pak. Por detyrimi i vaksinimit kërcënon të zgjerojë koalicionin no-vax, në të cilin grupet e mëposhtme do të mbivendosen: vetë kundërshtarët e vaksinës; libertarianët, të cilët refuzojnë në parim t’i nënshtrohen çdo detyrimi; ata që janë plotësisht të bindur se detyrimet janë të paefektshme; shkencëtarë disidentë; prindërit me fëmijë.

I përfshiva prindërit në këtë listë sepse kishte një lidhje të fortë midis mbështetjes së vaksinimit dhe dëshirës për të vaksinuar fëmijët pa pëlqimin e prindërve. Këshilltarët e qeverisë gjermane dhe britanike në fushatën e vaksinimit kanë hezituar prej kohësh ta rekomandojnë vaksinën për fëmijët dhe adoleshentët, pasi vaksinimi mund të shkaktojë sëmundje të rënda të zemrës në një në 30 000 raste. Për të rriturit, ia vlen të rrezikohet, pasi shanset për t’u prekur nga një formë e rëndë e Covid-it, përfshirë sëmundjet e zemrës, janë mjaft të larta për të justifikuar përdorimin e tij. Por bazuar në të dhënat në dispozicion, ky rrezik në rastin e fëmijëve dhe të rinjve është i papërfillshëm. Në këtë pikë, unë dyshoj se apeli për vaksinimin, i nisur nga brezi i vjetër, është i motivuar mbi të gjitha nga dëshira për të mbrojtur veten. Shëndeti i fëmijëve nuk është shqetësimi kryesor i kësaj grupmoshe.

Nëse të gjithë përbërësit e grupit të lartpërmendur, i cili kundërshton racionalisht despotizmin e vaksinave, do të bashkoheshin, ata mund të krijonin një forcë të frikshme politike. Donald Trump arriti të krijojë një koalicion të pagjasë mes elementëve heterogjenë që kundërshtojnë fuqinë dominuese teknokratike në kryeqytetin amerikan. Brexit e ka imponuar veten përtej të gjitha pritjeve, madje edhe atë të euroskeptikëve më të bindur. Unë njoh mjaft njerëz që votuan për të sepse ishin tmerruar nga mënyra sesi Bashkimi Evropian e trajtoi Greqinë gjatë krizës së borxhit sovran. Kështu u arrit në 52 për qind të votave në favor të largimit nga Evropa. Sipas mendimit tim, pasojat e vaksinimit të detyrueshëm mund të çojnë në një qeveri no-vax në të ardhmen. Mesazhi im për të gjithë ata që mbështesin këtë masë të detyrueshme është i njëjti që i drejtova në referendumin e dytë për Brexit: nëse e teproni me presionin, rrezikoni të humbisni gjithçka.

/Burimi: Corriere della Sera/ Përshtati Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *