Përgjatë vitit të shkuar 471 padi janë depozituar në gjykata për çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave. Tashmë me hyrjen në fuqi të vendimeve të reja për këto çështje, të gjithë ato subjekte që i janë drejtuar gjykatave, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Për ish-pronarët kthimi do të bëhet fizik pa kufizim me tokën e pretenduar nëse ajo është e lirë, ose me para.
Tashmë nuk do të ketë më vlerësim financiar më pak se 10 për qind sipas zërit kadastral aktual, shuma e kompensimit do të indeksohet deri në pagesën përfundimtare.
Me ndryshimet ligjore dhe nënligjore, të cilat erdhën në kuadër të rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për ato dosje të patrajtuara më parë Agjencia e Trajtimit të Pronave ka njoftuar se do të fillojë procedimin administrativ.
Agjencia bën të ditur se e përfundimin e afatit të Trajtimit të Kërkesave për Njohje Pronësie ka njoftuar subjektet e interesuara të tërheqin dokumentacionin e depozituar në mënyrë që të fillojnë me procedurat pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për 6950 kërkesa të patrajtuara.
Për procesin e kthimit dhe të kompensimit të pronave vendimet e reja parashikojnë një rend përparësie, kompensimi financiar është i fundit. Më përparësi kanë dy llojet e formave të kompensimit fizik. Vlerësimi financiar i bërë deri më tani për rreth 20 mijë kërkesa arrin në vlerën e 101 mld Lekëve./TvKlan