Avokati Maks Haxhia, i babait të Arbër Çekajt, është shprehur se nuk ka prova që Selim Çekaj të jetë pronar i 49 kg kokainës që u gjetën në kontejnerin me banane. Në një intervistë për Report Tv, Haxhia ka hedhur akuza të rënda duke thënë se është i implikuar shteti, e për këtë thotë se ka fakte dhe argumente. Për Selim Çekajn thotë se nuk ka asnjë provë, pasi ai mban përgjegjësi vetëm për mallin dhe jo kontejnerin.
“Shkurtimisht fabula është kështu: Ka ardh konteineri me banane, dhe njoftohet Selimi si administrator i shoqërisë për të qenë i pranishëm sepse konteineri ka dalë me pullë të kuqe, domethënë me probleme. Ne bashkë me Selimin kemi kërkuar që… ne jemi pronarët e mallit. Kemi bërë një marrëdhënie shit-blerje të këtij malli. S’kemi punë me konteinerin. Hapni konteinerin, të tërheqim mallin, kontrolloni mallin, nëse ka probleme me drogë etj. atëherë jemi në përgjegjës. Po dhe në këtë rast nuk jemi në përgjegjës se malli ka ardhur nga Ekuadori.
Hapet konteineri, bën atë operacionin, sharruan atë ku menduan se ishte droga dhe gjetën drogë. Të gjitha episodet janë në favor, pavarësisht se i ati i Arbër Çekaj është ndaluar, janë në favor sepse nuk mund ta implikojnë.
Para 3 vitesh ndodhi ngjarja me të birin. Mbas kësaj vazhdoi aktivitetin në emër të shoqërisë, ia bllokuan. Hapi shoqëri tjetër, dhe që nga ajo kohë bën import-eksport bananesh. Ka bërë dhe ngarkesa të tjera.
Fakti që gjithë argumentet implikojnë shtetin, që të mos dëgjojë logjikën minimale të argumenteve, tregojnë se është shteti në këtë mes. Shteti ka mbyllur veshët jo me një dorë, po me të dyja duart”, tha avokati, Maks Haxhia.
Selim Çekaj u arrestua mëngjesin e sotëm si rezultat i operacionit të koduar ‘Mersin” që ka mbajtur emrin e portit në Turqi, nga ku është nisur dhe anija me kontejnerët e bananeve ku fshihej 49 kg kokainë. 72-vjeçari është shprehur se nuk ka dijeni për sasinë e drogës pasi është thjesht tregtar frutash. Referuar burizmeve zyrtare nga Policia, 72-vjeçari ishte mbajtur në vëzhgim prej një muaji deri në momentin që iu vunë prangat. Ai është babai i Arbër Çekajt të dënuar për me 14 vite burg për sasinë prej 613 kg kokainë në shkurt të 2018-s në Maminas.