Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shënon sot 5 vjetorin e konstituimit të tij.
Nërmjet një njoftimi zyrtar KPK bën me dije se gjatë këtyre vite vetting ka firmosur në total 535 vendime, prej të cilave 209 konfirmime në detyrë, 200 shkarkime, 88 pushim/ndërprerje procesi, 35 përfundim procesi pa vendim perfundimtar, si dhe 3 vendime pezullim nga detyra (raporti statistikor).
Njoftimi i Plotë:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shënon sot 5 vjetorin e konstituimit të tij. 12 komisionerët e votuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), nisën zyrtarisht ushtrimin e detyrës më 17 qershor 2017, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Misioni të cilin morën përsipër 12 anëtarët e Komisionit nuk ishte vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor për të kryer procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori, por edhe përgjegjësi e lartë personale e profesionale në funksion të ndërtimit të një sistemi të pavarur, të drejtë e të paanshëm. Në 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë dhe sot, më 17 qershor 2022, ai numëron në total 535 vendime, prej të cilave 209 konfirmime në detyrë, 200 shkarkime, 88 pushim/ndërprerje procesi, 35 përfundim procesi pa vendim perfundimtar, si dhe 3 vendime pezullim nga detyra (raporti statistikor).
Deri në fund të mandatit të Komisionit, mbeten për t’u rivlerësuar edhe 270 subjekte, me qëllim përmbylljen e vettimit të listës së plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë). Gjatë këtyre 5 viteve, anëtarët e Komisionit janë përballur me sfida të ndryshme profesionale, por edhe personale. Përgjatë këtij rrugëtimi, KPK ka patur mbështetjen dhe ekspertizën e vazhdueshme të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilin gjen rastin edhe njëherë ta falenderojë. Po ashtu, Komisioni shpreh mirënjohje dhe falenderim për rolin e luajtur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbështetje të procesit të rivlerësimit. Transparenca, llogaridhënia dhe informimi i publikut mbi procesin e vettingut, që nga dita e parë e punës, konsiderohen si shtylla të rëndësishme të veprimtarisë së Komisionit. Prandaj, shprehim falenderim edhe për mediat kombëtare, lokale e ndërkombëtare për angazhimin dhe vëmendjen e kushtuar. Për KPK, media mbetet një partner i rëndësishëm. Komisioni nënvizon se gjatë 5 viteve të funksionimit të tij ka kryer me paanshmëri, profesionalizëm dhe angazhim të lartë procesin e rivlerësimit. Në vijim, edhe me zgjatjen e afatit kushtetues nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, secili nga anëtarët e trupës do të vijojë me përkushtim detyrën, duke i qëndruar besnik Kushtetutës dhe ligjeve, për të shpërblyer besimin e publikut.