Më 3 korrik 1971, Jim Morrison vdiq në një vaskë në Paris pasi u rrëzua pa ndjenja. Por edhe pse lideri i The Doors ka vdekur, mbas 50 vitesh mbetet një ikonë e përjetshme.Treshja e mallkuar e Rock&Roll: Jim Morrison ishte në të njëjtën moshë me Jimi Hendrix, i cili vdiq një vit më parë se ai, si edhe një vit më i madh se Janis Joplin, e cila vdiq në tetor, gjithashtu në 1970.
E vërteta përfundimtare dihet vetëm për vdekjen e Janisit, nga një mbidozë heroine, kurse rreth vdekjes së Hendrix dhe Morrison ka ende diskutime: disa madje besojnë se, ashtu si për Elvis Prestly-n, ish-këngëtari i “The Doors” është ende gjallë.
Këto 50 vite të kaluara vetëm sa e kanë forcuar më tej mitin e një prej ikonave më të fuqishme në historinë e muzikës popullore. Një fenomen mbresëlënës, nëse mendoni se “The Doors” u formuan në 1965 dhe se albumi i parë u prezantua në 1967, i fundit me Morrison në ’71.
I apasionuar pas kinemasë, por edhe adhurues i zjarrtë i Elvisit dhe Sinatrës, lexues i paepur i Rimbaud dhe Baudelaire, i Ëilliam Blake, Beat, Celine, Nietzsche, admirues i Artaud dhe studiues i psikologjisë dhe miteve të indianëve amerikanë, Morrison arriti ta transferojë këtë univers kulturor të artikuluar në figurën e një prej këngëtarëve lider më të pacipë në histori.
Morrison u bë menjëherë një simbol i reagimit të universit rinor ndaj institucioneve, por nuk mund të harrohet simbioza e mrekullueshme midis zërit dhe personalitetit të tij dhe muzikës së “The Doors”, një nga grupet më me ndikim dhe më origjinal i historisë, që është gjithashtu edhe arsyeja pse pas 50 vjetësh miti i Mbretit Hardhucë është ende kaq i gjallë.
Varri i Jim Morrison vazhdon të jetë një nga vendet më të vizituara dhe sot është i rrethuar për të përmbajtur turmat e adhuruesve të tij. Sot, ai pushon në varrezat Pere-Lachaise në skajin lindor të qytetit.