Strehimi i afganëve, Rama në Abu Dhabi: Në jetë ka një kohë kur kërkon dhe kur duhet të japësh!

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare të Politikave në Abu Dhabika prekur edhe ndihmën e dhënë ndaj popullit afgan nga Shqipëria. Në fjalën e mbajtur në Konferencën e Politikave Ndërkombëtare, Rama tha se Shqipëria nuk e ka memorien e shkurtër dhe se 30 vite më parë, shqiptarët ishin afganët që largoheshin nga talebanët.

Kryeministri shtoi se fëmijët tanë nuk duhen rritur në një ambient ku u mbyllen dyert atyre që kanë nevojë, pasi në këtë botë ka një kohë kur kërkon e ka një kohë kur duhet të japësh.

Gjatë fjalës së tij Rama solli në vëmendje atë çka kanë përjetuar shqiptarët 30 vite më parë, kur u detyruan që të iknin nga vendi për një jetë më të mirë drejt vendeve të Europës.

“Jam shumë i lumtur ta përmbyll këtu duke ju thënë se ne jemi shumë të lumtur e krenarë që ndihmuam afganët pas situatës në Afganistan. Shumë më kanë pyetur se përse e bëmë këtë gjë, sepse ne nderojmë traditën. Një prej faqeve më të rëndësishme është shpëtimi i hebrenjve, Shqipëria ishte vendi me më shumë hebrenj në Evropë pas luftës. Kujtesa jonë nuk mund të jetë e shkurtër. 30 vjet më parë, afganët ishim ne, që iu ikëm talebanëve tanë që nuk ishin islamikë, por stalinistë. Na u desh të kalonim detin dhe të shfaqeshim si alienë në Itali. Nëse nuk do të gjenim strehë, nuk do të ishim sot këtu, një vend me statusin e kandidatit për t’u bërë pjesë e unionit. Fëmijët tanë nuk duhen rritur në një ambient ku u mbyllen dyert atyre që kanë nevojë. Në këtë botë ka një kohë kur kërkon e ka një kohë kur duhet të japësh,”- tha Rama ndër të tjera.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *