Ish-kreu i komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj ka bërë një kallëzim në policinë e Lezhës pasi dy automjete i kanë bllokuar rrugën teksa lëvizte në aksin rrugor Lezhë-Milot.
Në denoncimin e tij ai thotë se nga automjetet kanë zbritur dy persona të panjohur, ku njëri prej tyre është afruar me vrap në drejtim të mjetit të tij dhe dyshohet se në dorë mbante një pistoletë.
Në njoftimin e policisë theksohet se Kaçaj ishte duke lëvizur me makinë bashkë shoferin dhe me djalin.
NJOFTIMI:
Rreth orës 18:00, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. K. 56 vjeç, banues në Lezhë, dhe ka bërë kallëzim se ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij së bashku me djalin e shoferin, në aksin rrugor Lezhë-Milot, dhe konkretisht sapo kalon vendin e quajtur M+, dy automjete i kanë dalë përpara duke i bllokuar rrugën.
Nga automjetet kanë zbritur dy persona të panjohur prej tij, ku njëri prej tyre është afruar me vrap në drejtim të mjetit të tij dhe dyshohet se në dorë mbante një pistoletë.
Drejtuesi i mjetit ku udhëtonte shtetasi S.K., ka manovruar duke e kthyer mjetin në drejtim të Lezhës dhe kanë ardhur menjëherë në polici ku kanë bërë edhe kallzimin.
Në lidhje me kallzimin e shtetasit S.K., shërbimet e Policisë kanë njoftuar menjëherë Prokurorin si dhe nën drejtimin e tij, po kryejnë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale me qëllimin zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.