Sot bëhen 617 vjet nga lindja e Heroit të kombit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Skënderbeu (emri i vërtetë: Gjergj Kastrioti) lindi më 6 maj të vitit 1405 dhe vdiq më 17 janar të vitit 1468. Ai është Heroi Kombëtar dhe figura më e shquar në historinë e shqiptarëve. Njihet gjithashtu edhe si themelues i shtetit mesjetar-shqiptarë.
Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, i cili u mor peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit i cili përgatiste komandantë e nëpunës.
Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike Skënderbeut. Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas përfundimit të shkollës, Gjergj Kastrioti kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye morri titullin bej që do të thotë princ ose fisnik, pra Skënderbej do të thotë Aleksandri princ ose fisnik.
Por e veçanta ngelet fakti se ai nuk e harroi vendin e tij dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri sa në vitin 1443 ai u nis kundër Janosh Huniaditnën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.
Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit, Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.
Në janar të vitit 1468, Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht.
Historia tregon se për shumë kohë shqiptarët e mbajtën të fshehtë lajmin e vdekjes së Skënderbeut, por edhe kur e dëgjuan as vetë turqit nuk e besonin se ai kishte vdekur.
Në çdo betejë ata frikësoheshin se ai do të dilte papritur. Skënderbeu u varros në Lezhë, por pas 10 vitesh kur turqit nisën sërish pushtimin, e gjetën varrin e Skënderbeut, dhe morën eshtrat e tij, duke i përdorur ato si hajmali për t’u dhënë forcë dhe fitore, ashtu sikundër ai ishte i gjallë.
Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.