Sot më 5 Shtator kremtohet shenjtërimi i Nënë Terezës. Një ditë krenarie për këtë bijë të jashtëzakonshme të popullit shqiptar.
Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989. Nënë Tereza ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Nënë Tereza e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. E gjithë jeta dhe vepra e Shën Nënë Terezës është një dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria ndaj madhështisë e dinjitetit të çdo njeriu, ndaj vlerësimit të gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, ndaj vlerës së pakrahasueshme të miqësisë personale e të thellë me Zotin Jezus, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, meditimit të Fjalës së Zotit, adhurimit të të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, të Jezu Krishtit të Kryqëzuar. Këtu Nënë Tereza gjente ushqimin e saj shpirtëror dhe fuqinë për të kundruar njeriun, posaçërisht të varfrin e të nëpërkëmburin, në dritën e dashurisë së Hyjit.
Jeta e saj është vërtetë dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur ofruar skamnorëve. Për Nёnё Terezёn, të varfrit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që kishin dhe kanë ende sot uri për bukë. Të varfrit ishin edhe miliona të përjashtuarit, të braktisurit, njerëzit pa familje, që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë; Ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.