Pas ndarjes nga jeta të mbretëreshës Elizabeth, sovranes më jetëgjatë në krye të monarkisë britanike, duket sikur sytë e të gjithë biografëve, por edhe shtypit mbarëbotëror janë të fokusuar te jeta e saj.
Së fundmi, në tabloidet e njohura angleze e jo vetëm, po shkruhet për stilin e saj. Siç tashmë të gjithë e dini, ajo i kushtonte shumë rëndësi pamjes së jashtme ku spikasnin kryesisht palltot e fustanet me ngjyra të theksuara, çantat e vogla të dorës dhe perlat, por ekziston një detaj që ndoshta nuk i keni kushtuar kurrë rëndësi: këpucët.
Madhëria e saj prej më shumë se gjysmë shekulli ka veshur të njëjtat këpucë me gjysmë take, ngjyrë të zezë. Ajo kishte një këpucar personal dhe madje një asistente që i “vishte” për të që të ishin sa më të rehatshme.
Për gati 60 vjet Elizabeth ka veshur këpucët e një kompanie britanike ‘Rayne’, e cila kishte fituar “garancinë mbretërore” që në vitin 1936, një lloj vule aprovimi që certifikonte kompanitë që vishnin familjen mbretërore. Duke qenë se mbretëresha nuk donte të ndryshonte modelin e këpucëve, ajo vendosi të mbështetej te një këpucar artizanal me kushtin e vetëm që t’i riprodhonte njëlloj pasi ndihej shumë komode me to dhe ishte një traditë që s’donte ta thyente.