7 marsi/ Berisha takim me mësuesit: Kjo qeveri ka vendosur në piedestal vulgun dhe injorancën

Kreu i PD, Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me mësuesit me rastin e 7-Marsit.

Në fjalën e tij, Berisha ka akuzuar qeverinë se në 9 vite, e ka shndërruar profesionin e mësuesit në një profesion të urryer nga qytetarët. Sipas tij, në 9 vite të qeverisë së PS-së, mësuesit kanë qenë “viktimat” më të mëdha, për shkak të pagave të ulëta që marrin.

Më tej ai shtoi se ky profesion nuk është një nga të preferuarit e të rinjve, pasi kjo qeveri ka ngritur në piedestal vulgun dhe injorancën. Ndër të tjera, Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve, janë mbyllur 760 shkolla dhe është reduktuar numri i mësuesve.

“Të dashur mësuese, mësues, pedagoge, pedagogë të mbledhur për të nderuar një figurë qendrore kombëtare, për të nderuar mësuesit dhe mësuesin të cilët kanë rolin më thelbësor në formimin e këtij kombi, si një komb i dijshëm dhe i qytetëruar. Shoqëria ka shumë profesione, por profesioni i mësuesit është më i afërti, më shëmbëllyesi me atë të misionarit. Me pasionin, përkushtimin, mësuesit dhe mësueset ndriçojnë mendjet e fëmijëve tanë me dije, me edukim, qytetërim. Mësojnë së bashku me familjen ndjenjën e dashurisë për atdheun, kombin. Në të gjithë historinë sakrificat e mësuesve shqiptarë janë të jashtëzakonshme. Kushtet në të cilat kanë ushtruar profesionin e tyre, kushtet e strehimit, jetesës, rritjes së fëmijëve, në zonat më të largëta, të thella në të 4-anët e vendit i bëjnë ata misionarë të vërtetë të dijes dhe qytetërimit. Asnjë shoqëri dhe një komb nuk mund të ketë më të rëndësishme dhe serioze se arsimin. Asnjë profesion tjetër, një shoqëri dhe një komb nuk mund të ketë më të rëndësishëm përveç se atë të mësuesit. Zhvillimi i një sistemi arsimor që të përmbushë detyrat, misionin, ndaj shoqërisë dhe kombit, ndonëse është procesi më serioz, është njëkohësisht edhe një proces jo i thjeshtë. Është një proces që kërkon përpjekje të mëdha. E vërteta është se sot në këto 9 vite kleptokraci në këto 8 vite kakistokraci, sundimit të më të këqinjve, në këto 9 vite të varfërimit të frikshëm të qytetarëve shqiptarë, në këto 9 vite të shkretimit si kurrë në histori me këtë shpejtësi të kombit tonë, arsimi, mësuesja, mësuesi kanë qenë nga viktimat madhore të këtij regjimi. Sot mësuesja nuk është më një profesion i preferuar dhe këto janë sirena të frikshme alarmi për një komb. Një profesion që qëndron në një piedestal si asnjë tjetër dhe këtë nuk e duan, të rinjtë nuk e pëlqejnë, sepse kjo qeveri e ka përçmuar këtë profesion, e ka denigruar këtë profesion. Kjo qeveri ka vendosur në piedestal, vulgun, injorancën.

Kjo qeveri ka partizuar arsimin, arsimtarin. Kjo qeveri, ka kryer një gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve për krijimin e kushteve për shpopullimin e vendit. Janë mbyll 760 shkolla. Është reduktuar në mënyrë të frikshme numri i mësuesve. Mësuesi shqiptar sot paguhet pothuajse dy herë më pak se mësuesit në Kosovë, mësuesit në Mal të Zi dhe në çdo vend të rajonit. 9 vite më parë, ata kishin pagat më të larta në rajon. U bë përpjekje e madhe për të ngritur një infrastrukturë arsimore moderne. U ndërtuan në një hark kohor 8-vjeçar, u ndërtuan mbi 1300 institucione arsimi”, tha Berisha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *