Mes librave dhe fotografive të kohës, kështu u kujtua 8 Dhjetori nga Partia Demokratike e Rithemelimit. Themelues të partisë e drejtues aktualë kujtuan lëvizjen studentore, si një ngjarje që ndryshoi historinë e kombit. Sali Berisha në fjalën e tij teksa lartësoi lëvizjen e dhjetorit, pohoi se studentët në luftën kundër diktaturës vetëm guximin kishin armën e tyre.
“Ata në fakt ishin në vetmi aty, të themi të vërtetën. Ata ishin në vetmi. Ata përveç njëri-tjetrit nuk kishin, ishin në një braktisje në atë rrugë, por nuk u mposhtën”.
Por për Berishën është koha për reflektim.
“Dhjetori kishte fillimin, ngjitjen, por përjetoi dhe rënien e tij. Kjo është e vërteta”.Kreu i Rithemelimit e drejton gishtin e akuzës tek kundërshtari i tij politik, Edi Rama, të cilin e bën fajtor për zhbërjen e vlerave të 8dhjetorit. Sipas Berishës, qëllimi i Ramës është kuptuar me vonesë por sërish thotë se është koha për reagim.
“Rilindja e Edi Ramës në qoftë se nuk u kuptua atëherë, tani është e qartë si drita e diellit. Ishte zhbërja, ishte hakmarrja ndaj demokracisë. Në 10 vite ai ia doli të zhbëjë një nga një arritjet e 8 dhjetorit.”
Ky 8 dhjetor (…) është një kushtrim për çdo shqiptar, të ngrihemi me sakrifica, me vendosmëri, të përmbysim diktaturën e re”.
Një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, 8 Dhjetorin e konsideroi si datën më historike për të djathtën shqiptare ndaj dhe kërkoi që kjo datë të lartësohet nga të gjithë. Ky kremtim i 8 Dhjetorit duhet të bëjë pjesë në një punë të organizuar që duhet të bëjë Partia Demokratike për t’i mbajtur për t’i nxjerr në dritë dhe për t’i lartësuar simbolet e saj. Nuk ka asnjë të djathtë në botë pa simbole të fuqishme, ne i kemi simbolet vetëm duhet t’i nxjerrim në dritë.
Paralelisht me këtë aktivitet, Partia Demokratike zyrtare 8 Dhjetorin e kujtoi me të rinjtë, ku mungoi Lulzim Basha që ende vijon vizitën në SHBA.
Në një takim të drejtuar nga deputetja më e re, Andia Ulliri, mbështetësit e Bashës kujtuan protestën e 33 viteve më parë, duke e konsideruar këtë datë si pikën kulmore kundër diktaturës komuniste.