Ish-lideri i PD, Sali Berisha ndodhet në Fier ditën e sotme ku po festohet 31 vjetori i krijimit të degës së PD-së, është shprehur se Lulzim Basha është farë e keqe në PD.
Ai ka thënë se Basha nuk u bë kurrë lider i besueshëm dhe jo se ne të gjithë nuk punuam që të ishte një lider i besueshëm për demokratët shqiptarë, por e thotë populli me mençuri të jashtëzakonshme: fara e keqe e tillë mbetet!
Berisha ka sulmuar kryedemokratin Lulzim Basha duke e akuzuar si peng të dosjes Muzin, që lidhet me çështjen e lobimit amerikan me SHBA-të, si dhe me projektin e ri të ndërtimit të Portit të Durrësit.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
“Së pari, më lejoni siç e do hierarkia të uroj ortodoksëve të Fierit dhe gjithë Shqipërisë, gëzuar këtë ditë të bekuar dhe është koincidencë e mrekullueshme që ne festojmë ditëlindjen e parë të PD. Sot të gjithë ne këtu kemi shumë detyrime për tu përulur me nderim të madh, për të shprehur mirënjohje të thellë ndaj atyre grave dhe burrave të Fierit, intelektualëve, punonjësve të këtij qyteti që themeluan më 6 janar 1991 në Fier partinë e parë opozitare në një kohë kur e vërteta është që diktatura e llogariste Fierin një bastion të saj. Kohërat e fillimit për fillestarë nuk kanë qenë të lehta.
Terrori i kuq na shoqëronte nga një komunë në një tjetër, nga një fshat në një tjetër, por ashtu siç ishin dhe idealet e demokratëve, ne qëndronim në të drejtën tonë të vendosur në rrugë dhe mjete paqësore të realizonim qëllimet tona.Jo të rralla ishin rastet kur na gjuanin me gurë, përpiqeshin të bllokonin rrugët ndërsa ne armë të vetme kishim tolerancën dhe përpiqeshim me vendosmëri të fitojmë zemrat dhe mendjet e njerëzve. Përsëri qëndruam të pamposhtur dhe vijuam rrugën deri në fitoren e madhe.
Drejtimi i kësaj partie dëshmoi dobësi dhe mjaft probleme të tjera. Njeriu që demokratët i besuan drejtimin solli forcën tonë politike nga humbja në humbje. Ai dështoi në çdo nismë që ndërmori në 8 vite. Ai nuk u bë kurrë lider i besueshëm dhe jo se ne të gjithë nuk punuam që të ishte një lider i besueshëm për demokratët shqiptarë, por e thotë populli me mençuri të jashtëzakonshme: fara e keqe e tillë mbetet! Farë e keqe.
Ne vendosëm mençurisht t’ja u sjellim te ju që kishit votuar në qershor të vendosni ju, përveç Kuvendit për shkarkimin e tij. Kur ju firmosët shkarkimin e tij, ai deklaroi se nuk e njeh referendumin ku votuan 10 mijë demokratë më shumë se në qershor për zgjedhjen e tij. Pa asnjë lloj standardi e norme për të bindur shqiptarët se është bërë famoz në matematikë, iu thotë se nuk ishin as çereku i tyre delegatë, në pallatin e kongreseve ishin 5004 delegatë. Shumë e kanë shtruar problemin nëse është me çështje të shëndetit mendor, JO, është me çështje madhore të moralit, është peng i dosjes Muzin, Toyota, dhe është i lidhur në afera biznesi në portin e Durrësit me vetë Ramën. Pra, kemi të bëjmë me një farë të keqe të moralit njerëzor, që nuk njeh asnjë normë e standard. Data 8 është një datë historike, jo vetëm për PD, po për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Për herë të parë në histori, vendimin suprem të referendumit dhe anëtarësisë e zbaton në një protestë festive, paqësore vetë anëtarësia e PD”, tha Berisha nga Fieri.
/Priza.al/