“8 Marsi” Veliaj, Krifca dhe stafi i AKU-së mbjellin pemë te Parku i Liqenit

Për 8 Mars, ditën e festës së gruas, stafi i vajzave dhe grave të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, dhuruan 18 pemë të llojeve të ndryshme – ullinj, mimoza, selvi, fotinia, lejlander – qytetit të Tiranës. Aksionit të mbjelljes iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi edhe qytetarë të tjerë të mbjellin pemë për festat e tyre.

“Gratë dhe vajzat e Tiranës, jo vetëm mbajnë familjet tona edhe në ditët e vështira të tërmetit e pandemisë, jo vetëm sigurohen që janë pjesa më vitale, më e disiplinuar, më produktive e administratave tona, si në bashki, si në qeveri, por janë jashtëzakonisht aktive edhe në sektorin privat, si drejtuese. Sot jemi në rreth 990 e ca mijë pemë e në punë ditësh, besoj kapim shifrën 1 milionë peme të mbjella. Sigurisht, ambicia jonë është që deri në 2030 të shkojmë në 2 milionë pemë të mbjella në Tiranë”, tha Veliaj.

Përveç Liqenit të Tiranës, kryebashkiaku tha se ka plot hapësira ku qytetarët mund të mbjellin pemë.

“Një hapësirë tjetër për të mbjellë pemë, kush ka nevojë për ide, është Parku i Liqenit të Farkës. Është mushkëria e dytë e Tiranës, të cilin po e gjelbërojmë, po vendosim disa pista të vrapit, të ecjes me biçikletë. Sigurisht, këto do jenë dy parqet më të mëdha dhe sigurisht parku i Farkës na mundëson që Njësia 1 dhe Njësia 2, Mulleti, Farka, Shkoza, Dajti, të ‘shkarkojë’ atje dhe të ulet edhe pak fluksi që kemi këtu në parkun e Liqenit të Tiranës”, sqaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë i ftoi të gjithë që të shfrytëzojnë stinën për të mbjellë sa më shumë pemë.

“Ftesa për qytetarët është jo vetëm për festat e 7-8 marsit, por kemi Ditën e  Verës, ditën e Pyjeve, ditën e Mjedisit, kemi sebepe e ditëlindje pa fund. Disa mund të vijnë ta bëjnë këtë në park, disa mund ta bëjnë tek shtëpia e tyre, nëse kanë një shtëpi private; nëse jetojnë në pallat, mund të mbjellin poshtë pallatit të tyre. Ku ka vullnet dhe dëshirë, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje, nëse duam të lëmë një kontribut. Nxitoni, teksa jemi në ditët e fundit të stinës së mbjelljeve dhe kam një mirënjohje e falënderim i veçantë për të gjithë. E di që shumë organizime preferojnë një vallëzim e një drekë apo darkë, por fakti që në këtë axhendë futet edhe një kontribut për Tiranën tonë, ju bën vërtet një krenari të qytetit”, u shpreh Veliaj.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca tha se gratë gjithmonë duan të japin shembuj të mirë, si në këtë rast, ku kanë zgjedhur të mbjellin pemë për t’i shtuar ‘jetë’ qytetit.

“Në ditën e gruas, ku ka më bukur sesa të lidhim forcën e gruas me fuqinë dhe prejardhjen dhe vazhdimësinë e natyrës dhe pemëve. Vendosëm së bashku me AKU-në, të ishim këtu sot për të dhënë një kontribut. Ne donim të tregonim që forca e gruas është një model në Shqipëri, edhe për faktin se gruaja e ka shkruar në historinë e Shqipërisë modelin e saj ndër vite dhe për ne është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të tregojmë nëpërmjet shembullit të praktikave të mira të punëve të mira, sesi gruaja është edhe motor zhvillimi, por edhe një model i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë sonë. Ky sot është vetëm një shembull i vogël, një simbol i vogël për ditën e gruas”, tha Krifca.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *