Pas 8 muajsh pritjeje në burgun e Hagës, Jakup Krasniqi arriti të takonte të bijën, Gresa Krasniqin. Kjo e fundit ka ndarë një shkrim prekës në rrjete sociale, pas takimit me të atin dhe është shprehur si u ndje pranë tij. Gresa tha se ishte e rëndë ta shikonte të atin pas hekurave, por ai nuk thyhet, bëhet më i fortë, ndërsa shkruan se më në fund gjeti paqe në prehrin e të atit e harroi dhimbjen e vuajtjet.
“Për 8 muaj e 12 ditë ëndërruam përqafimin tënd e ledhatimet e tua. Sot në prehrin tënd mu qetësua shpirti Babi. Harruam gjithçka. Harruam dhimbjen, pritjet, vuajtjet. Jeta është e padrejtë me njerëzit e mirë. Sa i mirë je ti babi, sa shumë padrejtësi durove. E kisha ëndërruar këtë moment herë në gjumë e herë me sy hapur. Para pasqyrës, çdo mëngjes i përsërisja fjalët që do t’i thoja, para teje u bëra e heshtur. Sa na kishe munguar! Sa e rënd ishte të shoh aty, por të pash më të fort se herëve tjera, megjithëse përballeshe me të tjera padrejtësi të pash më të buzëqeshur se herëve tjera, mjekra e bardhë që ti numëron vitet plot vuajtje të ka bërë edhe më të pashëm. Ti nuk thyhesh babi, kisha lexuar shumë shkrime nga ish të burgosur, që tregonin historitë e tua sikur të një superheroi. U binda babi, ti nuk thehesh. Ti bëhesh më i fort, e kjo më gëzoi. Sa na kishe munguar!E di, ti edhe njëherë i duhesh Kosovës dhe UÇK-së. Por, na duhesh edhe neve. Padrejtësia babi, vret më shumë se plumbi. U ç’mallem thua, po ky mall vështirë se kalon. Te duam”, shkruan Gresa Krasniqi.
Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe Rexhep Selimi janë katër ish-udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së që u dërguan në Hagë nën hetim për krime lufte.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, mbi të cilët rëndon akuza për përndjekje, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, burgosje, ndalim arbitrar, trajtim mizor, zhdukje me forcë e personave në periudhën mes prillit të 1998-gusht 1991.
/Priza.al/