8 prilli është dita ndërkombëtare e Romëve.
Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni, gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtarë të përfaqësuesve romë të mbajtur në prill të vitit 1971.
Sakaq, kjo ditë shihet si një kremtim i historisë rome, traditave dhe kulturës, por njëkohësisht shërben për të bërë thirrje për përfshirjen sociale. Në këtë ditë synohet të rritet ndërgjegjësimi rreth sfidave me të cilat ballafaqohet ky komunitet në gjithë botën.
Në këtë ditë sillet në vëmendje historia, tradita dhe kultura e këtij komuniteti.
Çfarë i karakterizon romët?
Romët njihen gjerësisht për muzikën dhe kërcimin tradicional. Madje, muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë, si: Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara dhe klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.
Sa i përket kërcimit tradicional të tyre, ata kanë ruajtur elemente nga India, duke u përzier me detaje të marra nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar.
Kërcimi tipik i tyre është flamengo, i cili përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.
Romët, gjithashtu, i kanë zhvilluar traditat e tyre edhe në poezi dhe pikturë.
Gjuha rome
Gjuha rome, “romane”, është një gjuhë indo-ariane, pjesë e familjes gjuhësore indo-evropiane. Ajo do të flitej që nga fillimi i mesjetës vetëm në diasporë, jashtë Indisë.
Sot ajo është një pjesë integrale e diversitetit linguistik evropian.
Të shumtë kanë qenë studiuesit, të cilët janë munduar ta formalizojnë duke sjellë në botim abetare dhe fjalorë të ndryshëm. Tanimë, gjuha e tyre vijon të ruhet mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme.
Veshjet e romëve
Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në disa komunitete rome. Gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.