Banorët e fshatit Mnel në Vaun e Dejës kanë dalë në protestë pasi rrezikohen nga përmbytjet.
Ata kërkojnë ndërtimin e një dige për të parandaluar përmbytjen e banesave dhe të prodhimeve bujqësore gjatë këtij dimri. Janë rreth 80 familje që preken nga prurjet e shtuara të lumit Gjadër.
Banorët deklarojnë se bashkia e Vaut të Dejës i ka drejtuar në Agjencinë e Mbrojtjes Civile pasi nuk kanë fonde të mjaftueshme për të ndërtuar digën.
Lumi Gjadër është kthyer në një rrezik për zonën pas dëmtimit të digës ndërkohë që rezulton se prurjet janë shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.