Kryeministri Edi Rama ka komentuar grantin prej 80 milionë eurosh që BE do të japë për Shqipërinë për përballimin e krizës energjetike.
Gjatë një konferencë për shtyp, Rama tha se 80 mln euro “nuk janë pak” por, kjo shifër përmbush vetëm 1/6 e nevojës së vendit tonë duke shtuar se këtë vit Shqipërisë i është dashur 460 mln euro të furnizimit me energji.
Rama deklaroi se vendosja e fashës 800 KWH, është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë nevojat bazike dhe kjo nuk mund të konsiderohet rritje. Më tej ai ka shtuar se nëse do kursehet arsyeshëm, s’kemi nevojë të vendosim fashën.
“80 mln euro nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme, ndërkohë që nëse i referohemi këtij viti ne na është dashur në total, 460 mln euro, e kombinuar mes buxhetit të shtetit dhe operatorit të energjisë, pra 1/6, është një shumë marramendëse për buxhetin tonë por, që ka ndihmuar edhe për inflacionin. Nuk do rrisim energjinë, vendosja e fashës 800 KWH, është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë nevojat bazike, të gjitha pa përjashtim, pa pasur nevojë për më shumë! Mbi 1 mln konsumator, janë maksimumi 60 mijë familje që dalin mbi këtë tavan në kulmin e nevojës për ngrohje apo ftohje. Sa i përket kursimit shikojmë pozitivitet, nëse do kursehet arsyeshëm, s’kemi nevojë për fashën”, tha Rama.