Jorgaq Tushe, aktor dhe regjisor lindi në Vlorë më 19 Prill 1949. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, dega dramatike, më 1972. Fill më pas kreu studimet plotësuese për regji-teatri në Institutin e Lartë të Arteve dhe të Kinematografisë në Bukuresht, Rumani.
Regjisori është, një nga emrat që për dekada me radhë ka dhënë një kontribut të madh në jetën artistike të teatrit dhe me angazhime dhe në kinematografinë shqiptare, falë punës së tij ka fituar vlerësimin dhe nderimin që i bëhet një artisti me vlera. Me teatrin dhe Estradën në Vlorë ka sjellë për publikun 50 premiera që mbajnë emrin e tij si regjisor, por nuk janë të pakta dhe rolet në teatër. Për publikun ai së fundmi erdhi me rolin e një pensionisti në filmin “Buka”, roli i dytë për të në kinema pas rikthimit nga emigracioni.
Tushe ka punuar si regjisor në teatrin “Petro Marko” të Vlorës deri në fillim të viteve 90 kur emigroi në Greqi. Aktor me prirje komike ka realizuar mjaft figura interesante në skenën e këtij teatri, por krijoji më shumë hapësirë për vete kryesisht si regjisor.
Në kinematografi ka interpretuar në disa filma, si “Liria a vdekje” – (Taxhim Ymeri – 1979), “Plumba perandorit” – (Avokati – 1980), “Skëterrë 43” – (Mjeku – 1980), “Agimet e stinës së madhe” – (Rezbati – 1981), “Koha nuk pret” – (Oficeri anglez që arratiset – 1984), “Nata e parë e lirisë” – (Nazifi – 1984), “Prindër të vegjël” (1991), “Dera e hapur”, “Delegacioni” (2018) etj.