“Pse romët gjithmonë shahen?” Vite më parë, si gazetare e re, Maria nuk mund t’i përgjigjej saktësisht kësaj pyetjeje, por ishte në gjendje të konstatonte se “përfaqësimi mediatik” dhe “racizmi” janë të lidhur me njëri-tjetrin. E shtyrë nga vullneti për të kuptuar se si media ndikon në jetën tonë në detaj, ajo u bë ajo që është sot: shkencëtare, ose më saktë, një teoriciene e medias: “Unë zgjodha rrugën time. Doja të kuptoja dhe të shkruaja se si funksionon media dhe pse është e rëndësishme të reflektosh për të.”
A është vërtet e mundur që pozicionimi i një grupi në shoqëri të përcaktohet kaq shumë nga mënyra e prezantimit të tij në media? Sipas Marie Bogdan kjo është absolutisht e mundur dhe për më tepër, edhe mungesa e tregimeve autentike dhe mungesa e diskursit (pozitiv) lidhur me romët kanë po ashtu ndikim të dukshëm në tendencën dominuese të perceptimi të këtij komunitetit.
“Ne nuk mund të flasim “për shoqëri” pa tematizuar “identitetin”. Kjo është arsyeja pse shoqëritë që veprojnë në mënyrë kufizuese dhe përjashtuese gjithmonë dështojnë. Si duam të përballemi me diversitetin? Njerëzit, që janë të ndryshëm, do t`i pranojmë, refuzojnë apo keqtrajtojmë?”
Karaktere frymëzuese
Maries i kujtohen bisedat e gjata me familjen e saj. Familjarët i kishin shpjeguar, se ndonjëherë do të ishte e vështirë (të jesh Romni) dhe se mund të vinin situata, ku ti do të jesh e përjashtuar. Por në të njëjtën kohë ata theksonin se nuk duhej të ndodhte kështu dhe se në këtë botë ka shumë lloje të ndryshme njerëzish, dhe romët janë një prej tyre.
Kjo ishte e rëndësishme për Marian, por edhe më e rëndësishme ishte ajo që familja e saj i kishte mësuar pa zë: “Familja ime gjithmonë më ka bërë të ndihem, sikur jetoj në një mjedis, që nuk e kufizon veten dhe e përqafon diversitetin si pjesë të jetës”.
Dikush, që e motivoi Marian për të vazhduar rrugën e saj, ishte János Bogdán themeluesi i shkollës së mesme Gandhi në Pécs, Hungari, gjimnazi i parë rom në Evropë. Ai admirohej nga shumë vetë për mënyrën se si mendonte, fliste dhe dëgjonte. Bisedat me të e ndihmuan Marien ta shihte potencialin e saj nga një këndvështrim tjetër. Ai u bë një frymëzim i madh për Marien dhe shumë njerëz të tjerë që e takonin. Maria e kuptoi se sa e rëndësishme është lidhja dhe komunikimi me intelektualë, pionierë dhe heronj të tjerë të komunitetit: “Është e rëndë, të jetosh në një shoqëri, përgjigja e së cilës ndaj pranisë tënde është gjithmonë negative. Ne kemi nevojë për personazhe dhe histori frymëzuese, tani më shumë se kurrë.”
Maria tregon lidhur me “Everyday Roma Heroes Campaign”, një projekt i Roma Press Center. Synimi ishte të bënte të dukshëm personazhet frymëzues nga komuniteti rom në Hungari një fushatë e madhe në bashkëpunim me mediat kryesore të vendit. Këto histori rrëfejnë për njerëz, që kanë arritur të realizojnë ëndrrat, tregon Maria. Ajo e di se kjo është e rëndësishme për të zhvilluar një identitet pozitiv si Rom/Romni:“Unë besoj se histori si këto kanë fuqinë për të inkurajuar njerëzit, që të mendojnë përtej limiteve të tyre të deritanishme.”
Deklarimi i origjinës
Maries i kujtohet mirë, kur mediat sociale për herë të parë filluan të luanin një rol të rëndësishëm në Hungari. Përpara regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, OJQ-të rome i motivuan komunitetet e tyre përmes rrjeteve sociale, që të merrnin pjesë në regjistrim, në mënyrë që të bëheshin të pranishëm si qytetarë të Hungarisë – dhe ta linin pas frikën. Rreth 315.000 vetë e deklaruan origjinën e tyre rome. Një sukses i jashtëzakonshme krahasuar me rezultatet e vitit 2001, atëherë qenë identifikuar si romë vetëm 190.000 vetë.
Kështu u nxit një debat i madh dhe i rëndësishëm për identitetin vetjak brenda komunitetit: “Një shoqëri nuk duhet të debatojë pandërprerë lidhur me pranimin e diversitetit – kështu pengohet transformimi.” Megjithatë shumë njerëz ende nuk janë të vetëdijshëm se romët jetojnë në shoqëritë evropiane prej qindra vjetësh – si qytetare dhe qytetarë, si fqinjë.
Marien nuk e habit fakti, që një nga fjalët kyçe aktuale të lëvizjes qytetare është “rezistenca”: “Ne protestojmë kundër pozicionit, që na atribuohet në historinë e Evropës – atë të të huajit”.
Dr. Maria Bogdan është sociologe. Interesi i saj kërkimor qëndron kryesisht në fushat e përfaqësimit në media dhe racizmit. Asaj iu dha doktorata në programin e doktoraturës në Universitetin Eötvös Loránd në Budapest, ku shkroi tezën e doktoraturës mbi përfaqësimin mediatik të romëve në Hungari me titullin: “I huaji i dukshëm”. Ajo ka bërë kërkime shkencore në Akademinë Hungareze të Shkencave, në Central European University dhe së fundmi në Qendrën Kërkimore për Anticiganizmin në Universitetin e Heidelbergut, ku nga viti 2019-2020 ka qenë përfituesja e parë e “Romani Rose Postdoctoral Researcher Fellowship”./DW