Një 40-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së Beratit, pasi akuzohet për të paktën 9 vjedhje.
Bëhet me dije se shtetasi me iniciale A.Dh., banues në fshatin Lapardha, Berat vidhte targat e automjeteve, karburant dhe aksesorë të tjerë të automjeteve, vepra këto të kryera brenda këtyre 2 muajve të fundit.
Njoftimi:
Arrestohet 40-vjeçari që dyshohet se ka kryer 9 vjedhje në disa automjete.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Berat, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Elektroaut”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Dh., 40 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Berat.
Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara dyshohet se ky shtetas është autor i 9 vjedhjeve të ndodhura gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti.
Ky shtetas vidhte targat e automjeteve, karburant dhe aksesorë të tjerë të automjeteve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që autori përdorte për të kryer vjedhjet, si dhe disa nga sendet e vjedhura.