Një ngjarje e rëndë ka tronditur sërish qytetin e Shkodrës mbrëmjen e së martës, ku pas të shtënave me armë në lagjen “Perash” ka mbetur i plagosur 28-vjeçari, Edis Rexha banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.
Policia thotë se në rrethana ende të paqarta, Rexha është plagosur me armë zjarri në këmbë cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën
Me marrjen e njoftimit për të shtëna me armë zjarri, policia ka shkuar në vendngjarje, ka rrethuar zonën, ka ngritur pika kontrolli dhe vijon krehjen e territorit për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Policia është njoftuar për plagosjen e 28-vjeçarit nga Spitali Rajonal, pasi aty ka mbërritur i plagosuri Rexha i cili ishte qëlluar në gjurin e majtë.
Ndërkohë policia ka shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit edhe një person të dytë i cili ka dhënë detaje për vendin ku ka ndodhur ngjarja. Sipas dëshmitari i riu është qëlluar me armë automatike, por që në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë nga ana e policisë.
Ndërkohë që uniformat blu po bëjnë këqyrjen e kamerave për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme, që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.