Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Elton Bengajn (Meta) i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij 23- vjeçaren Sabrina Bengaj. Krimi i rëndë ndodhi në 10 tetor 2021 brenda banesës së prindërve të viktimës.
Akuzat për të cilat Elton Bengaj do të gjykohet janë ato e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” të parashikuar nga nenet 79/c dhe 50 “e/1” të Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” me pasoja të rënda e parashikuar nga neni 278/ i Kodit Penal, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” e parashikuar nga neni 321/2 I Kodit Penal dhe “Prishja e qetësisë publike” e parashikuar nga neni 274 të Kodit Penal, të kryera në dëm të viktimës, ish-bashkëshortes së tij Sabrina Bengaj, e moshës 23 vjeçe.
NJOFTIMI
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në përfundim të kryerjes së veprimeve hetimore lidhur me procedimin penal nr.908 të vitit 2021, ka konkluduar me kërkesë për dërgimin për gjykim të të pandehurit Elton Bengaj (Meta) i akuzuar për veprat penale “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” të parashikuar nga nenet 79/c dhe 50 “e/1” të K.Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” me pasoja të rënda e parashikuar nga neni 278/7 i Kodit Penal, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” e parashikuar nga neni 321/2 i K.Penal dhe “Prishja e qetësisë publike” e parashikuar nga neni 274 të Kodit Penal, të kryera në dëm të viktimës, ish-bashkëshortes së tij Sabrina Bengaj, e moshës 23 vjeçe.
Shtetasi Elton Bengaj (Meta) dhe Sabrina Bengaj kanë lidhur martesë në vitin 2017, martesë nga e cila është sjellë në jetë vajza e tyre. Bashkëjetesa midis tyre është ndërprerë në vitin 2020, për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga bashkëshorti Elton Bengaj ndaj Sabrinës e cila së bashku me vajzën e mitur është zhvendosur në banesën e prindërve të saj në fshatin Zhupan, Fier.
Edhe pas ndërprerjes së bashkëjetesës të tyre, Eltoni Bengaj ka vazhduar të ushtrojë dhunë ndaj Sabrinës.
Rezulton se, ai ka kërcënuar me armë kallashnikov Sabrinën dhe familjen e saj, fakt për të cilin ai është arrestuar nga policia më datë 19.09.2020.
Një muaj më pas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e kërkesës së paditëses Sabrina Bengaj, ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për paditësen, me efekt shtirje deri më datë 14.10.2021, duke urdhëruar të paditurin Elton Bengaj të mos cënojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtëpërdrejt ose tërthorazi, si dhe të mos kryejë vepër penale të dhunës në familje ndaj paditëses Sabrina Bengaj.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 21.02.2021 ka vendosur zgjidhjen e martesës.
Mbrëmjen e datës 10.09.2021, ish-bashkëshorti Elton Bengaj ka hyrë në banesën e prindërve të ish-bashkëshortës me një armë zjarri kallashnikov në dorë.
Pas kërkesës së Sabrinës për t’u sqaruar jashtë banesës, për të mos shqetësuar familjarët, i pandehuri Elton Bengaj e ka qëlluar disa herë me armë pas shpine ish-bashkëshorten (për të cilën ishte nxjerrë një urdhër mbrojtje nga Gjykata) dhe është larguar me motor me shpejtësi, ku është kapur më pas nga policia pas kërkesës së të atit të tij dhe policisë për t’u dorëzuar.