Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar sot gjykimin e shkurtuar për ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçin dhe 3 nga vartësit e tij. Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen e ish-drejtorit të RTSH- së.
Gjatë seancës plenare Gëllçi ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Nëpërmjet avokatit mbrojtës ish-drejtori ka kërkuar që të gjykohet me provat e mbledhura deri më tan inga SPAK. Përveç Gëllçit të pandehur ishin edhe Julian Tapia e Ervin Muhja, ndërsa për Alban Malavecin, dosja është veçuar pasi ai vijon të jetë në kërkim. Ish-drejtori do të përballet me drejtësinë në Gjykatën e Posaçme me akuzën e shpërdorimit të detyrës, në lidhje me tenderin prej 86 milion lekësh për blerje pajisjesh për kanalin RTSH agro. Prokurorja Dolorez Musabelliu ka paraqitur në gjykatë faktet sipas hetimit, ai ka nisur proçedurat e tenderimit ende pa marrë miratimin për hapjen e kanalit nga AMA i cili më herët kishte refuzuar mbylljen e RTSH fëmijë për ta zëvendësuar me RTSH agro.
Gjithashtu Gëllçi po akuzohet se ka favorizuar firmën fituese të tenderit duke zgjatur afatin e dorëzimit të produkteve ndërsa avokati i tij ka folur për një inskenim që lidhet për të penguar rikandidimin për të qenë në krye të RTSH.
Mësohet sipas burimeve se Prokuroria e Posaçme është duke hetuar edhe disa tendera të tjerë që janë bërë në kohën kur Gëllçi drejtonte TVSH-në, ku dyshohet se janë kryer proçedura në kundërshtim me ligjin.