Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi mblodhi në Lezhë strukturat vendore të policisë së qarqeve Lezhë, Shkodër dhe Kukës. Bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Çuçi kërkoi intensifikimin e punës dhe forcës goditëse kundër çdo tentative të kultivimit të kanabisit.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka mbledhur në Lezhë strukturat vendore të policisë në qarqet Lezhë, Kukës dhe Shkodër. Së bashku me drejtorin e përgjithshëm të policisë së Shtetit, Gledis Nano, Çuçi ka kërkuar intensifikim të punës por edhe të forcës goditëse kundër çdo tentative të kultivimit të kanabis.
“Jemi në stinën e mbjelljes prandaj vëmendja e Policisë së Shtetit duke filluar që nga inspektorët bazë në terren dhe deri tek drejtuesit më të lartë duhet të jetë maksimale. Përveç monitorimit të përvitshëm që bëjmë nga ajri me mjete të Guardia di Finanza dhe me dronë, do të kemi shumë shpejt edhe pamjet e shërbimit satelitor për një kontroll të më plotë të territorit në të gjithë vendin”, mësohet të ketë thënë Çuçi.
Sakaq, ministri i Brendshëm u ka kërkuar strukturave vendore të policisë të jenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave sidomos në zonat me risk të lartë, duke pasur kështu vëmendje edhe tek format alternative të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.
“E rëndësishme është gjithashtu të mos keqkuptohet nga askush synimi ynë për legalizim të kanabisit vetëm për qëllime mjekësore, që do të jetë një aktivitet i rregulluar me ligj të veçantë dhe i kontrolluar rreptësisht përmes kompanive që do të licencohen. Çdo formë tjetër e kultivimit të kanabisit konsiderohet aktivitet i paligjshëm e kriminal për të cilin do të ketë zero tolerancë”, u shpreh ministri Çuçi.
Ndërkohë, u ka bërë thirrje çdo punonjësi policie t’i rezistojë të gjitha formave të tundimit apo presionit të mundshëm për të mbyllur një sy apo një vesh në mënyrë që t’i hapë rrugë kultivimit të kanabisit.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka detyrimin ligjor dhe të gjithë mbështetjen time e të qeverisë për t’i prerë rrugën çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që nuk vepron apo më keq akoma që implikohet në këtë aktivitet kriminal. Me vendosmërinë për të zbatuar ligjin në të gjitha hallkat dhe vullnetin e plotë për të mos neglizhuar asnjë element apo fazë të luftës së vazhdueshme kundër kultivimit të kanabisit, jam i bindur se do të thellojmë rezultatet shumë të mira që kemi arritur deri më tani në këtë fushë”, u shpreh ai.