Problematikë serioze është bërë tashmë historia në lidhje me procedurat e prokurimit të institucioneve të vendit, kjo pasi kemi shkelje të ligjit deri në ato procedurat e thjeshta për blerjen e mallrave të thjeshtë, këtu kundrejt një shume marramendëse.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në institucionin e Presidencës në lidhje me një tender të bërë së fundmi. Burimet për median bëjnë me dije se Presidenca ka hapur një tender për blerje bojërash për fotokopje, printera e fakse. Procedura mban numrin e referencës REF-24997-04-13-2022 dhe ka fondin limit prej 2.500.000 lekë të reja, ose 25 milionë lekë të vjetra.
Kjo ka bërë që Presidenca mos të kryejë procedura të rregullta tenderi. Kjo është faktuar nëpërmjet një ankese e mbërritur në Komisionin e Prokurimeve Publike në lidhje me procedurën. Ankesa është bërë nga kompania që ka marrë pjesë në garë, “INTERLOGISTIC”, ku dhe ka konstatuar pasaktësitë.
Sipas kompanisë, Presidenca nuk ka përcaktuar qartë mostrat që kërkon të blejë. Kompania shprehet se kjo paqartësi bie në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 i Prokurimeve Publike. Konstatimi i dytë i kompanisë është edhe afati i vendosur për kohëzgjatjen e kontratës, ose afati i zbatimit të kontratës që është lënë vetëm 7 ditë.
Ndërkohë, kompania vë në dukje se afati është i shkurtër, pasi bëhet fjalë për furnizim me sasi dhe lloje të ndryshme tonerësh të cilët importohen nga furnitorë të ndryshëm ndërkombëtarë.