Komisioni i Rithemelimit, përmes një deklarate publike, pas konferencës së Ivi Kasos, ka listuar 6 arsyet se pse nuk duhej të pranohej nga Gjykata e Tiranës ankimini i Alibeajt.
Sipas “Rithemelimit” thuhet se ankimimi nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në ligj.
Gjithashtu shton se Enkelejd Alibeaj nuk ka asnjë tagër për të përfaqësuar Partinë Demokratike, pasi ai nuk zyrtarisht nuk mban asnjë funksion në parti.
Reagimi i plotë:
6 ARSYE PËRSE NUK DUHEJ PRANUAR ANKIMI “ALIBEAJ” NDAJ VENDIMIT NR.3 DT. 25.03.2021
1- Ankimi nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në ligj. Konkretisht personi që ka paraqitur ankimin nuk është palë në proces në kuptim të ligjit (422/a KPrC) dhe as nuk është përfaqësues legjitim i ndonjë pale në procesin e shqyrtimit të kërkesës.Kontrolli mbi legjitmimin që bën Gjykata në këtë rast nuk është substancial por vetëm formal/procedurial, pra verifikon nëse ankohet një palë që formalisht ka qenë në proces apo jo. (vendime te Gjykatës së Lartë )
2- Po i njëjti standart është mbajtur edhe nga ana e gjyqtares Blerina Muça, kur në vendimin për caktimin e seancës gjyqësore lidhur me kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë për të regjistruar Statutin dhe vendimarrjet e Kuvendit Kombëtar të Korrikut 2021, i është referuar kërkesës së paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit me objekt “pushimin e gjykimit” duke mos e marrë në shqyrtim atë dhe duke mos e referuar në vendimin përfundimtar pikërisht si rrjedhojë e mungesës së cilësisë proceduriale. Për këtë arsye, e njëjta gjykatëa është e detyruar të mbajë të njëjtin standart, në të njëtin rast konkret duke mos e legjitimuar z.Alibeaj në paraqitjen e ankimit.
3- Gjykata e Tiranës e ka të konsoliduar praktikën për mospranimet e ankimeve nga palë të cilat nuk legjitimohen
Ky standart është tashmë i vendosur nga Gjykata e Tiranës dhe përmendim këtu Vendimin Nr.1041 Regj.Themeltar dt.15/10/2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhënë nga Gjyqtar Ervin Pollozhani i cili ndër të tjera shprehet :
“pra nuk ka një vendim të posaçëm nga kjo gjykatë për pranimin ose jo të kërkesave të futjes ose jo të tyre si palë ndërgjyqëse në këtë proces, në mënyrë që më pas, sipas përcaktimeve proceduriale mbi të drejtën e ankmit të parashikuara nga Neni 194/2, të K.Pr.Civile të mund të ushtrohej e drejta e ankimit..”
4- Çështja e legjitimimit të palës që ankohet (Alibeajt) lidhur me qënien pjesëmarrës më cfarëdo cilësie proceduriale në procesin qe ka konkluduar me vendimin nr. 3 dt. 25.03.2021 është zgjidhur me vendimin Nr.191 Regj.Temeltar dt. 04.02.2022 të gjyqtar Arben Kostandini, i cili rrëzon kërkesën e po kësaj pale për përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri, pasi këta të fundit nuk janë palë në proces dhe për pasojë nuk legjitimohen. Ky vendim përjashtimi nuk është ankimuar, për rrjedhojë është i formës së prerë dhe vetë ankuesi e ka pranuar duke mos e ankimuar. (Vendimi bashkëlidhur)
5- Nënshkruesi i ankimit, Enkelejd Alibeaj nuk ka asnjë tagër për të përfaqësuar Partine Demokratike sepse nuk mban zyrtarisht asnjë funksion në Parti.
– Nuk është Kryetar i Komanduar- Duhet të kishte një vendim të Këshillit Kombëtar të PDSH që ta komandonte si të tillë dhe nuk ka, pasi Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur kurrë për këtë qëllim.(neni 46 i statutit PDSH)
– Nuk është nënkryetar Partie- vetë në ankim ngre pretendimin se vendimi i gjyqtare Blerina Muça, për regjistrimin e Kuvendit të 17 korrikut 2021, i cili zgjodhi Këshillin Kombëtar që zgjodhi Alibejan nënkryetar, nuk ka marrë formë të prerë dhe nuk ka prodhuar ende asnjë pasojë juridike. (neni 46 i statutit PDSH)
6- Autorizimi Lulzim Bashës i datës 21.09.2021, me anë të së cilit i jep tagra përfaqësimi Enkelejd Alibeajt, në momentin e paraqitjes së ankimit e ka humbur fuqinë e tij ligjore, pasi në atë moment Lulzim Basha, që prej datës 21.03.2022 kur dha dorëheqjen, nuk është më kryetar i PDSH.