U rikthye në PD, Hajdari: Sjam në parti si tifoze e Berishës, do flas në çdo Kuvend

Rudina Hajdari e ftuar në “Top Talk”, është shprehur se do të ndjekë të gjitha organizimet e Partisë Demokratike dhe do të marrë pjesë nëpër takime për të kuptuar nga afër se si mund të zgjidhet kriza në parti.

Hajdari tha se ish-kryeministri Sali Berisha është përpjekur për bashkim, por që vetëm koha do ta tregojë se sa ka funksionuar.

Ajo po ashtu shtoi se do të merra pjesë në kuvendin e 30 prillit, por që nuk do të jetë aty si tifoze e Berishës.

Pjesw nga fjala e Hajdarit:

“Kam qenë nga ata që kam qenë kundër zotit Berisha, kam folur kundër tij në Parlament, kam kundërshtuar djegien e mandateve. Dhe për këtë kam qenë shumë e qartë, që do të jem gjithmonë parimore dhe kështu do vazhdoj të jem. Ai që mendon që pas 6 marsit, Berisha nuk është faktor brenda Partisë Demokratike, gabon. Duhet të kuptojmë që ai ka një rol, mbështetet dhe vazhdon të mbështetet. Çështja është si ta akomodojmë ne brenda grupit dhe ta pjesë të punës për ringritjen e Partisë Demokratike, ky është synimi kryesor.

Duhet të pranojmë që është faktor brenda Partisë Demokratike, por anëtarësia, demokratët, për momentin duhet të kuptojnë që mbështetja ndaj Berishës ishte pas disfatës së Bashës. E mbështetën Berishën se ishin të zhgënjyer. Por tani duhet të shkojmë përtej kësaj, duhet të shohim si të rikthehemi në pushtet. Duhet të apelojmë edhe përtej anëtarësisë, edhe përtej demokratëve, te elektorati gri, por dhe te socialistët e zhgënjyer që janë larguar nga Edi Rama. Jam dakord dhe do të marr pjesë në kuvendin e 30 prillit, të Kongresit të Partisë Demokratike. Do jem pjesë dhe do të kërkoj të flas.

Nëse ka një kongres tjetër do të shkoj dhe tek ai. Unë do të jem aty ku janë demokratët, do të flas dhe do të komunikoj me ta. Nuk kam ardhur këtu për të bërë tifozin e zotit Berisha apo zotit Basha. Kam ardhur të bëj kontributin tim, nuk pretendoj të bëj mrekulli. Unë nuk aspiroj të jem kryetare. Ata që e ndjejnë veten në lartësinë e duhur për të qenë kryetar nesër, duhet ta shprehin këtë dëshirë dhe të shpalosin platformat e tyre. Kur të dëgjoj se çfarë kanë për të bërë, do mbështes atë që mendoj është më e drejtë,” tha ajo ndër të tjera./Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *