Veliaj viziton ukrainasit/ Ambasadori: Pashë një grua teksa vija, po gatuante kulaçin tonë tradicional

Këtë të dielë me rastin e festës së Pashkëve, ukrainasit e strehuar në vendin tonë janë vizituar nga kryebashkiaku i Tiranës Erion veliaj, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri Volodymyr Shkurov dhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.

Në këtë takim Shkurov pohoi për mediat se gjatë rrugës kishte parë një grua të moshuar e cila po gatuante kulaçin tradicional të Pashkës duke shtuar se edhe nëse festa vjen në një moment jo shumë të gëzueshëm ajo prapë duhet festuar.

Nga ana tjetër kryebashkiaku i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj theksoi se Shqipëria është krah të Ukrainës, si dhe mesazhi që përcjell Pashka është se e drejta dhe dashuria triumfojnë mbi të keqen.

“Krishti u ngjall është ndoshta mesazhi më i fortë i kësaj dite. Sot ne kujtojmë Krishtin, kujtojmë besimtarët, kujtojmë besimin, por mesazhi është më shumë se sa fetar, mesazhi është edhe politik. Ashtu si Krishti në kryq, ne rrethohemi me njerëz, me autoritete ose me shtete, që duan të na shohin në kryq. Ka fuqi, ka njerëz, që duan të na shohin të gozhduar, të nënshtruar, mundësisht të vdekur. Por, mesazhi i Pashkëve është se e drejta triumfon gjithmonë e mira dhe dashuria triumfojnë mbi çdo të keqe”, tha ai.

Veliaj shprehu besimin se Ukraina do të ngrihet më e fortë seç ishte përpara luftës.

“Mund të ketë disa fuqi që në dukje shfaqen më të forta, që sillen sikur janë të tilla me arrogancë, që i shtypin të tjerët. Por, këto fuqi janë si betoni .Në dukje të forta, por të vdekura, nuk kanë jetë! Ne jemi si kjo pema, që lulëzojmë mbi të fortën, mbi të keqen, ngrihemi më të bashkuar e më të dashur me njëri-tjetrin. Në këtë ditë Pashke, ku ne kujtojmë ringjalljen e Krishtit, ringjalljen dhe fitoren e së mirës mbi të keqen, është një kujtesë se Ukraina do të fitojë. Ukraina do të ngrihet më e fortë seç ishte përpara dy muajsh”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë Kim pohoi se është emocionuar kur kishte parë fëmijë të cilët kërcenin, teksa shkonte të takonte ukrainasit.

“Ndjeva shumë gjëra kur pashë fëmijët duke kërcyer kur mbërritëm këtu. Ky është një moment i errët dhe mbrëmë, nuk e di për ju, por doja të shkoja në kishë për të festuar meshën e Pashkëve. Dhe në ato momente kur ne të gjithë kishim qirinjtë të ndezur, mendova se si të gjitha zemrat tona anembanë botës rrihnin së bashku si një, me çdo njeri në Ukrainë”, tha Kim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *