Shqipëria ka potenciale për të diversifikuar prodhimin e energjisë nga era dhe dielli, por mungesa e fuqisë punëtore, që nga inxhinierët deri tek punonjësit e thjeshtë, po pengon zgjerimin e mëtejshëm të sektorit të prodhimit të energjisë, thotë studimi për “Aftësitë e Nevojshme në të Ardhmen e Sektorit Energjetik Shqiptar”, nga “European Training Foundation”.
Studimi, i cili u bazua në intervistat me kompanitë dhe aksionerët e tyre, gjeti se mungesa e fuqisë punëtore me njohuri në prodhimin inovativ të energjisë konsiderohet si një ndër faktorët kryesorë që pengon zgjerimin. Profilet teknike me aftësi të mesme (jo vetëm ato elektrike) janë veçanërisht të vështira për t’u gjetur. Për pasojë, inxhinierët në Shqipëri shpesh bëjnë punën e teknikëve, por edhe menaxhimin që lidhet me aspekte të tjera të kompanive energjetike, duke krijuar një ngarkesë shtesë.
Studimi evidentoi se mungesa e punonjësve me përvojë është një nga faktorët më kufizues, që pengon zgjerimin e mëtejshëm të nënsektorëve të rinj, si energjia diellore, etj. Profilet që mungojnë më shumë janë ato me një përvojë konkrete në prodhimin e energjisë diellore, por bizneset e sektorët pohojnë se, të gjithë punëtorët me kualifikim të ulët, të mesëm dhe të lartë me njëfarë përvoje janë të nevojshëm.
Kompanitë në sektorin energjetike pohojnë se sistemi arsimor nuk është në përputhje me nevojat e sektorit. Një hendek i tillë lidhet edhe me daljen në pension të shumë punëtorëve të kualifikuar, kështu që kompanitë po përballen me vështirësi për t’i zëvendësuar ata me punëtorë të rinj të kualifikuar në treg.
Edhe nëse sektori është tërheqës për të rinjtë, oferta e punëtorëve me aftësi përkatëse nuk mjafton nga pikëpamja sasiore për të mbështetur kërkesën e kompanive. Gjithashtu, fluksi i lartë i emigracionit u vu në dukje, si kritik, nga shumica e të intervistuarve. Shumë teknikë dhe inxhinierë, pasi të kenë përfituar kualifikimet e tyre emigrojnë nga Shqipëria në vendet evropiane, SHBA apo Afrikë në kërkim të pagave më të larta.
Lidhur me aftësitë e munguara, disa të intervistuar raportuan mungesën e bashkëpunimit të kompanive të huaja dhe vendasve. Kompanitë e huaja zakonisht nuk i aktivizojnë vendasit, por edhe në ato pak raste i ngarkojnë me detyra të thjeshta administrative dhe nuk u kërkohet të kryejnë detyra me aftësi të larta ose të lidhura me teknologjinë. Gjatë zbatimit të projekteve të huaja aftësitë dhe kompetencat duhet të ishin transferuar te aktorët vendas, si sektori akademik shqiptar, por kjo nuk ndodhi kurrë.
Kompanitë shqiptare raportuan një boshllëk në bashkëpunim me universitetet, të cilat perceptohet se nuk ofrojnë kurrikula të përditësuara. Nga ana tjetër agjencitë e arsimore dhe e trajnimit në Shqipëri pohuan se të dëshironin të kishin aftësitë për të trajnuar njerëz në fushat në zhvillim, por për shkak të mungesës së informacionit (gjithashtu nga kompanitë) ato nuk mund të ofrojnë programe të përshtatshme trajnimi.
Profilet e reja të punës që kërkohen në sektorin energjetik
Studimi evidentoi tri kategoritë kryesore të profileve të punës për të cilat po rritet kërkesa nga sektori energjetik.
Së pari profesionet e lidhura me teknologjinë, profesionet e lidhura me shërbimet e biznesit dhe profilet e ekspertëve. Ndër ato teknologjike janë profilet transversale si inxhinierë mekanikë, civilë apo të energjisë dhe specializime të ndryshme teknike për nen sektorët që janë duke u zgjeruar apo planifikohet ta bëjnë këtë.
Ndër ato të orientuara nga biznesi, kërkesa është për role menaxheriale dhe shitës të specializuar në fushën e energjisë. Mundësi të veçanta janë të hapura për ekspertët që mund të mbështesin tranzicionin energjetik të vendit.
Ky trend i përgjithshëm është i vlefshëm për profilet me të gjitha nivelet e aftësive nga profesionet me aftësi të ulëta, të mesme dhe të larta. Rolet e teknikut për instalim, montim dhe mirëmbajtje do të jenë ende të kërkuara në numër të qëndrueshëm brenda sektorit.
Kompanitë pohojnë se, rritja e automatizimit dhe dixhitalizimit do të reduktojë operacionet manuale, por niveli i përgjithshëm i punësimit nuk do të ulet në të ardhmen, edhe për shkak të kufizimeve teknike dhe roleve administrative të kërkuara nga rregulloret e reja./Monitor