I dyshuar për një sërë krimesh/ SPAK-u merr nën hetim Talo Çelën. Gjykata e Beratit, ‘arrest me burg’ në mungesë

Talo Çela vazhdon të jetë një i shumë kërkuar. Po ashtu policia vijon të dështojë në operacionet për arrestimin e tij. Njëkohësisht dhe fashikujt me akuzat ndaj të shumë kërkuarit po shumëfishohen.

Një nga ngjarjet për të cilën ai dyshohet se është autor i saj, është edhe tentativa për të vrarë Irfan Azizin, e ndodhur në nëntor 2020, por që nga shënjestra u raportua si një plagosje aksidentale.

Teksa Talo Çela dhe ish-bashkëpunëtori i tij, Nuredin Dumani, edhe ai në arrati, po hetohen bashkërisht nga SPAK-u, për disa vrasje, burimet pohojnë se për atentatin e dështuar në Berat, Gjykata e Beratit, ka shpallur masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë” ndaj tij, duke e mbushur listën e akuzave, në të cilën kryeson grabitja e 4.6 milionë eurove në Rinas.

Përpjekja për të vrarë biznesmenin ndodhi gjatë kohës kur për kapjen e njeriut më të kërkuar në vend Talo Çela, ishin intensifikuar kërkimet dhe madje në fuqi ishte shpërblimi prej 10 mijë eurosh. Në një dëshmi të administruar nga prokuroria Azizi, një pronar karburanti i vënë nën shënjestër, pohoi emrin e 49-vjeçarit nga Bradasheshi i Elbasanit, si personi që shkrepi kallashnikovin kundër tij në datën 29 nëntor.

Edhe ai është një person që e njihte Talo Çelën dhe madje thuhet se ka marrë pjesë në varrimin e dy vëllezërve Viktor Haxhia dhe Besmir Haxhia, ku ky i fundit, dyshohet si shënjestra mbasi kishte bashkëpunuar me grupin në një vrasje tjetër.

SPAK, pritet t’i dorëzojë gjykatës si të akuzuar emrat e Talo Çeles, dhe Nuredin Dumanit, që të dy në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e tyre nën arrest, Altin Ndoci dhe të penduarin Klevis Alla.

Për këtë episod kriminal, i penduari rrëfen se i nxori dy vëllezërit në pritë me kërkesë të grupit. “Drejtova makinën ku të armatosur me kallashnikovë gjendeshin të tjerët, mes tyre Talo Çela që qëlloi me armën që mbante Altin Ndoci”.

Dhe për krimin tjetër të dyfishtë dëshmitari implikon 49-vjeçarin pasi sipas tij, ai u shpreh se ishte vendosur të vritej Dorian Shkoza, pasi ai kishte folur. Së bashku me shënjestrën që sërish është një pronar servisi, mbeti i vrarë edhe Anxhelo Avdia.

Në këtë ngjarje, dëshmitari tregon se morën pjesë Talo Çela, Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia, i cili më pas u vra. Por prokuroria nuk ka lidhur ende nëse kjo sagë vrasjesh, ka apo jo lidhje me grabitjen e Rinasit, pas të cilës Çela që kishte modifikuar automjetin që hyri në pistë, humbi gjurmët jo vetëm për shtetin, por edhe për kundërshtarët të cilët gjatë kësaj kohe i vranë të vëllanë.

/Burimi: TCh/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *