Pas letrës së Holandezit, reagon spitali i Traumës: Sipas vlerësimit të parë, gjendja e përgjithshme ishte e mirë

Spitali Universitar i Traumës ka reaguar pas letrës së Tom Danns, shtetasit holandez drejtuar kryeministrit Edi Rama, përmes së cilës i tregon për incidentin që i ndodhi pak ditë më parë në Tiranë dhe më pas dramën që përjetoi te “Trauma”.

Sakaq, spitali i Traumës nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale bën me dije se stafi mjekësor ka ndjekur me përpikmëri protokollet mjekësore ndaj holandezit.

“Janë përpunuar plagët nga Kirurgu i Përgjithshëm, Dr. Dritan Çobani, duke përdorur instrumenta dhe set mjekimi emergjence të standardizuar një përdorimesh, me barkode të ruajtura sipas rregullit, sete të cilat përdoren në të gjitha spitalet, sipas standardeve më të mira”, shkruhet në njoftim.

Ndërkohë spitali shpreh sigurinë se të gjithë qytetarët qofshin ata shqiptarë apo të huaj, nuk do t’i mungojë shërbimi dhe se ekipi i mjekëve dhe infermierëve do të vijojnë të jenë në krye të shërbimit 24 orë.

Kujtojmë se holandezi, shprehte këto ankesa në letrën e tij:

  • Gjatë vizitës time në spital takova shumë infermierë dhe disa mjekë. Vetëm njëri mjek (kirurg i përgjithshëm) e kuptonte mirë gjuhën angleze. Nëse nuk do të isha i shoqëruar nga miku im personal shqiptar, çdo bisedë normale me personelin mjekësor në këtë spital universitar do të ishte e pamundur për shkak të pengesës së dukshme gjuhësore;
  •  Në departamentin e urgjencës që vizitova nuk kishte pajisje kompjuterike dhe informacionet rreth meje, si lëndimet etj. u shkruan me dorë në ca blloqe të mëdhenj;
  •  Nuk kishte letër higjienike për pacientët, si dhe nuk kishte ujë të pijshëm;
  •  Në banjë nuk kishte ujë në rezervuarin e WC-së;
  •  Gjatë trajtimit tim privatësia ime (si pacient) nuk u respektua absolutisht;
  • Në departamentin e radiologjisë ata përdorën një aparat me rreze X, që dukej të ishte blerë shumë dekada më parë.

Reagimi i Plotë nga Spitalit Universitar i Traumës:

Referuar publikimit në disa portale për rastin e një qytetari me shtetësi hollandeze, paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës në datën 16 prill 2022, sqarojmë si më poshtë:

Daans ka ardhur në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës në orën 23:30 të datës 16.04.2022, i shoqëruar dhe me përkthyes. Sipas vlerësimit të parë, gjendja e përgjithshme ishte e mirë. Pacienti referonte rrëzim në trotuar dhe ankohej për dhimbje të krahut dhe lëndim në fytyrë.

Sipas vlerësimit të mjekëve, pacienti paraqiste plagë sipërfaqësore rreth 4 cm në regionin frontal, gërvishtje të vogël në hundë dhe dhimbje gjatë lëvizjes së krahut të djathtë.

Pasi i janë bërë ekzaminimet radiografike të kokës, hundës dhe krahut, ka rezultuar vetëm dëmtim i kokës së radiusit (brrylit) që është trajtuar në mënyrë konservative, me imobilizim me gips, mbajtja e të cilit është rekomanduar për 3 javë, e më pas fizioterapi.

Janë përpunuar plagët nga Kirurgu i Përgjithshëm, Dr. Dritan Çobani, duke përdorur instrumenta dhe set mjekimi emergjence të standardizuar një përdorimesh, me barkode të ruajtura sipas rregullit, sete të cilat përdoren në të gjitha spitalet, sipas standardeve më të mira.

Pacientit në fjalë i është aplikuar gjithashtu serumi antitetanik.

Gjithashtu, është realizuar konsulta nga neurokirurgu Dr. Asllan Sela, nga e cila ka rezultuar pa probleme neurologjike apo neurokirurgjikale.

Pacienti është larguar bashkë me shoqëruesin në orët e para të datës 17.04.2022.

Mjekët dhe personeli referojnë se pacienti është larguar falenderues për shërbimin e marrë.

Daans është rikthyer në mëngjesin e datës 17.04.2022 në SUT, në gjendje të përgjithshme shumë të mirë, pa ankesa, duke referuar se i duhej të udhëtonte me avion. Dr. Asllan Sela, neurokirurg, e ka riekzaminuar dhe e ka pajisur me vërtetim me të dhënat mjekësore, diagnozën dhe që mund të udhëtonte pa probleme, vërtetim i cili është printuar dhe i është dorëzuar kërkuesit.

Stafi mjekësor i Spitalit Universitar të Traumës ka ndjekur me përpikmëri protokollet mjekësore për shtetasin hollandez dhe siguron të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj, që shërbimi ndaj tyre nuk do të mungojë në asnjë moment dhe se ekipi i mjekëve dhe infermierëve do të vijojnë të jenë në krye të shërbimit 24 orë në 7 ditë të javës për të bërë më të mirën për shëndetin e qytetarëve.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *