Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në tryezën me pedagogët se do të mbështesin çdo lëvizje të studentëve dhe pedagogëve për të ndaluar rrokullisjen në arsim.
“Rruga e vetme për t’i dhënë fund kësaj rrokullisje të madhe në arsim është pjesëmarrja masive e studentëve dhe pedagogëve në një betejë gjer në fitoren e tyre”, tha ai.
Berisha theksoi se lëvizja për universitetet nuk i realizoi qëllimet për shkak se opozita nuk kishte besimin e tyre.
“Lëvizja për universitetet para disa vitesh nuk i realizoi qëllimin për shkak se opozita nuk kishte besimin e tyre. Të rinjtë nuk i besonin opozitës.
Nëse do i besonin, opozita do e përmbushte misionin e vet. Opozita nuk kishte qenë avokate e të drejtave të tyre. Kjo situatë ka marrë fund dhe ne do përkrahim çdo përpjekje të studentëve për të ndaluar një rrokullisje me pasoja të rënda për Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, tha Berisha.