Ergys Dashi, ishte një emër jo shumë i lakuar në ambientet e kronikës së zezë në Shqipëri. Të paktën, kështu dukej, deri më 23 janar 2022. Mbrëmjen, ku 20 plumba të derdhur ndaj tij në një lokal në Ekuador, do të zbulonin edhe Cv-në e tij të pasur në botën e narkotrafikut
Emri i tij ndodhet në skedat e policisë italiane, kur u arrestua në 2014 pas një aksioni ndaj një bande të trafikut të drogës. I riu nga Durrësi kishte rolin e menaxherit të trafikut të drogës në grupin ku bënte pjesë. Ai merrte drogë nga vende të ndryshme si Shqipëria, Spanja e Bolivia dhe më pas i shpërndante në Itali.
Por si ra Ergys Dashi në kontakt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut?!
Sipas hetimeve italiane ai ishte përfshirë herët në narkotrafik. Fillimisht ai e kishte nisur punën si shpërndarës dhe më pas, kishte ngjitur shkallët një e nga një duke u shndërruar në një nga bosët e kokainës.
Ai rezulton se kishte lidhje direkte me bosët e karteleve në Kolumbi, ku udhëtonte shpesh për t’i takuar dhe biseduar me ta. Në Europë kishte krijuar grupin e tij kriminal, ku shpërndante kokainën, ndërsa vetë jetonte mes Amsterdamit dhe Ekuadorit. Në Shqipëri, bashkëpunonte me bosë të trafikut të drogës dhe grupe kriminale nga Durrësi. Sipas hetimeve italiane, Ergys Dashi kishte udhëtuar në Ekuador në disa raste. Aty nga ku fillimisht kishte kryer transportin e një sasie mbresëlënëse kokaine drejt Italisë.
Një ngarkesë e barabartë me disa qindra ‘bukë’ që do të kryheshin nëpërmjet kontejnerëve në anije që ankoroheshin në portin e Amsterdamit.
‘Bukë’ të transkriptuara, që nuk do të ishin asgjë tjetër, vetëm se kodi i kokainës së paketuar që do të vinte nga përtej oqeanit.
Po sipas dosjes hetimore italiane, veprimtaria e kësaj bande që ishte konstatuar fillimisht në Torino të Italisë, aty ku kishte një degëzim të gjerë në Piemonte, dhe që ishte e dedikuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës, kishte shtrirë veprimtarinë e saj nga Amerika e Jugut, kryesisht Kolumbi, edhe në vende si Holanda, Sllovenia, Zvicra, Spanja dhe natyrisht, Italia.
Referuar gjithmonë dosjes hetimore italiane, Ergys Dashi, kishte mundur të rriste aftësinë e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës, falë edhe financave të fuqishme ekonomike që dispononte si edhe një rrjeti efektiv bashkëpunëtorësh që ishin në varësi të tij.
Rrjet që ishte rekrutuar nga po ai vetë. Midis të cilëve kishte shqiptarë dhe sllovenë. Të cilët kishin krijuar shoqata më të vogla të trafikut të drogës, nga ku ishin përcaktuar edhe rolet e tyre, në sigurimin e automjeteve, si dhe ambiente të shumta specifike të vendosura në rajone të ndryshme të Italisë, kryesisht në qendër të veriut. Ku sipas dosjes hetimore, deri më tani ishin sekuestruar mbi 30 kg kokainë.
Ndërsa falë një hetimi kompleks ishte konstatuar hyrja në Itali nga kjo organizatë edhe të 50 kg droge. Por ajo që do ta bënte më të vështirë ndjekjen e kësaj bande ishte sofistikimi i tyre. Që del qartë edhe në përgjimet e policisë italiane. Ku rezulton se Ergys Dashi dhe ushtarët e tij, me qëllim që të mos kapeshin në përgjime, përdornin karta telefonike në emër të personave që nuk ekzistonin. Ose të blera me dokumente të falsifikuara në mënyrë që të mos perceptoheshin nga policia që tashmë u ishte vënë nga pas. Por ajo që del në përgjimet e hetuesve italianë mbi Ergys Dashin është edhe lidhja e tij me një tjetër personazh të errët të botës së krimit. Të njohur si Gentian Doçi Funiqi.
Një personazh, që më herët del I përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Ngjarje kjo e ndodhur më 17 janar 2020, në Kamëz.
Ku sipas dosjes hetimore italiane, dy nga makinat e shumta me xhama të zinj që përdorte Ergys Dashi në transportin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, rezulton se i përkisnin pikërisht Gentian Doçit.
Dosja Hetimore italiane
Sipas përgjimeve teknike Mercedes Class A me targa ES558YH, e sjellë nga Erald Xhindi, lindur në Shqipëri më date 05.02.1985, banues në Xhenova, në rrugën Gaetano Donizetti 15/4, në fakt disponohet nga Gentian Doçi, lindur në Shqipëri më 21.09.1975, dhe banues në Torino.
Po kështu automjeti Opel Corsa me targë ER281 TD, në emër të ValbonaPashos, lindur në Shqipëri më date 19.07.1984, banuese në Torino, rruga Podgora 5, në fakt është në disponim të Gentian Doçit. Sipas dosjes hetimore italiane rezulton se Ergys Dashi dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin sisteme të sofistikuara komunikimi me njëri-tjetrin.
Një sistem kriptografie, chat PGP, me qëllim për të shmangur çdo aktivitet përgjues, shenjë e qartë kjo sipas hetuesve për natyrën e paligjshme të veprimtarisë së tyre dhe ekzistencën e një organizate të qëndrueshme dhe të provuar kriminale.
Një nga këto biseda është edhe kjo që Ergys Dashi ka kryer në bordin e një makine Touran. Ku në makinën në lëvizje, janë Ergysi, Nori dhe Genti. Ata flasin për mundësinë e përgjimit të Ergysit nëpërmjet Albanit.
Ergysi shpjegon se ai flet me të nëpërmjet një program të koduar përmes një serveri nga Rumania. Do të ishte ky përgjim që do të zbulonte edhe parkun e madh të automjeteve që organizata përdorte për transportin e drogës.
Automjete të markave Opel, Ëolksëagen Passat, Ëolksëagen Touran, Peugeot dhe Audi. Të gjitha këto të montuara posaçërisht në punishtet holandeze, të cilat i kishin përshtatur në mënyrë të tillë, me anë të krijimit të ndarjeve të fshehura ose fundeve të dyfishta për të fshehur drogën.
Bisedë e përgjuar në bordin e makinës Audi A3 me targa A KPKN922, datë 07.07.2017. Në bordin e makinës Edmond dhe Ergys Dashi.
Ergys Dashi: Sa na hyn në punë makina me vende brenda, e ke idenë …. unë kisha edhe Opelin, që kisha marrë nga Dibra, por më pas e lashë aty. Ndërsa në një tjetër bisedë të përgjuar Ergys Dashi kërkon siguri për automjetin me të cilin do të kryhet transporti i drogës.
Bisedë e përgjuar në bordin e makinës Wolskswagen Touran me targë LJ26HFIN, më datë 19.12.2018.
Në makinë Stivi me Ergysin. Ata flasin për makinën. Ergysi i thotë se ka një me kamio automatike dhe e pyet Stivin nëse ka shofer. Stivi i thotë po. Pastaj flasin për makinën e cila është DSG. Ergysi thotë se ka pasur shumë makina Touran dhe e pyet Stivin nëse ia ka shpjeguar Sandri…Ergysi thotë se turbo kishte një defekt dhe për këtë e kishin shitur 4.5 euro.
Stivi thotë se frenat duhet të ndërrohen. Ergysi thotë se Peugeot nuk ka nevojë për riparime dhe ai thjesht e merr atë në punishte çdo 2 vjet, ndersa Pasatët ishin të shpejtë, por gjithmonë i jepnin problem te motorët. Sipas dosjes hetimore, këto automjete ishin të gjithë të regjistruar në territorin slloven, si dhe të pajisura po me targas llovene, siç dilte edhe nga përgjimet. Ndërkohë që bashkëpunëtore ishte edhe një sllovene, e identifikuar me gjeneralitetet Bedrana Ahmic. Që i siguronte makinat në Slloveni.
E cila ndërkohë kishte rënë në burg dhe Ergys Dashi e ndihmonte nëpërmjet të shoqit të saj shqiptar me të ardhura.
Biseda të përgjuara në bordin e makinës Opel Insigna, datë 08/l 0/2018, ora 11:00:33
Një makinë në lëvizje e drejtuar nga Bedrana Ahmic
Ergys Dashi: Dëgjo, më duhen 2 makina sa më shpejt të jetë e mundur
Bedrana Ahmic: Eh e kam për këtë.. për këtë të thërras .. kam dy Passat
Ergys Dashi: Çfarë lloj makinash keni?
Bedrana Ahmic: 2 Passat të bardha njësoj si ..
Ergys Dashi: Çfarë viti është?
Bedrana Ahmic: 2008 mendoj ..të dy janë karvanë të bardhë
Ergys Dashi: Më duhet vetëm një ..pra ….
Ajo që bie në sy në përgjimet e Ergys Dashit është fakti se ky i fundit ishte tashmë në dijeni të ndjekjes që policia italiane po i bënte.
Në një moment, siç konstatohet edhe nga përgjimet që publikon ‘Në shënjestër’ ai i thotë mikut të tij në makinë se rrezikon 18 vite burg në Itali si kreu i organizatës prej 36 anëtarësh dhe se për ta liruar nga akuzat i ka premtuar avokatit të tij, 500 mijë euro. Kjo sipas hetuesve dëshmon për një kapacitet të madh financiar të kreut të grupit, i cili krahas të tjerash, rezulton se paguan 400 euro natën e hotelit ku ka akomoduar mbrojtësin e tij.
Bisedë e përgjuar në bordin e makinës Ëolksëagen Touran, datë 13/01/2019, ora 14:24:50. Në makinë Ergysi dhe Stivi
Ergysi i thotë Stivit t’i shkruajë. Stivi i thotë Ergysit nëse është më mirë ta kryejë dënimin në Itali. Ergysi i thotë se rrezikon 18 vite burg në Itali, sepse akuzohet si shefi i një grupi prej 36 personash dhe se i ka premtuar avokatit 500 mijë euro në dy vite për t’ja zgjidhur çështjen. Stivi i thotë Ergysit, a nuk është më mirë ta kryente dënimin me lirim me kusht. Ergysi thotë që nuk do të ishte i lirë të punonte. Por ndërkohë që bëheshin këto biseda, Ergysi ishte I shqetësuar edhe për arrestimin e krahut të tij të djathtë, kushëririt Edmond Dashi në shkurt të vitit 2018… Pas kësaj goditje Ergys Dashi, vendos të udhëtojë drejt Kolumbisë, pranë karteleve të drogës atje, me qëllim riorganizimin e linjave të trafikut dhe sigurimit të sasive të kokainës për t’i trafikuar drejt Holandës, për ti shpërndarë më pas në Itali.
Hetuesit thonë se u kryen një serë hetimesh, nga ku u konstatua prania e Ergys Dashit në Ekuador nga data 15 Maj 2018 deri më 02 Qershor 2018, momenti kur u nis nga aeroporti i Guajakil (Guayaquil) në Ekuador për në Bruksel nëpërmjet Madridit, duke u kthyer në Belgjikë të nesërmen më datë 03 Qershor 2018.
Ai dëgjohet teksa flet në përgjime me një shtetas italian për planet e nisjes drejt Kolumbisë, por më parë i duhet të sigurojë një vizë në Ekuador.
Ergys Dashi: Raporto te kolumbiani se nesër ose pasnesër do të pres biletat, por fillimisht do të më duhet të shkoj në Ambasadën e Kuitos për të marrë një vizë.
Ergysi vazhdon duke thënë se ai do të ndalet për një ditë në Ekuador dhe më pas do të shkojë në Kolumbi prandaj ai do të jetë me ta brenda tri ditëve.
Një tjetër moment, që Ergys Dashi shpreh shqetësim lidhet me arrestimin e shoqëruesit të tij, Rigels Yzeiraj. Ai ka frikë se Yzeiraj mund të zbulojë detaje për hetuesit dhe kjo mesa duket e tremb.
Ergys Dashi: “Nuk kam më nerva dhe durim për të folur me dikë e kupton? Po çmendem, kam probleme me “Rige” burrë…Nuk më intereson çfarë kam humbur mik….Unë shqetësohem për probleme të tjera që kanë dalë nga avokati me “Rigen” (RigelsYzeiraj). Ai ka thënë se rezulton se mallin e transporton kushëriri i tij Ergysi nga Holanda …. të gjitha të komplikuara …. atje në (Itali) hetimet janë të ashpra”.
Siç u theksua edhe më lart Ergys Dashi tashmë ishte kthyer në komisarin e drogës që kalonte Paqësorin nga Ekuadori drejt Evropës. Deri mbrëmjen e ekzekutimit në Guajakil, ku plumbat i morën jetën. Ku thuhet se ai është nxjerrë në pritë nga një beratas që kishte shërbyer si garanci për sasitë e drogës.
Ndërsa dalin në dritë në mënyrë direkte apo indirekte lidhjet e tij me grupe të tjera kriminale, me të cilat ai bashkëpunonte./news24