Mbrëmjen e djeshme është arrestuar Ndriçim Jonuzi, autori i plagosjes në këmbë të sekretarit të degës së PD-së në Kavajë. 45-vjeçari akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ndërkohë, bashkëpunëtorët në konflikt Dorian Troplini, drejtor i policisë bashkiake dhe punonjësi Markel Shtylla, sipas policisë, akuzohen për “Moskallëzim krimi”.
Sekretari i Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni është shprehur para grupit hetimor se sherri ka nisur për parkimin e makinës.
“Jonuzi më ka ofenduar, u konfliktuam fillimisht fizikisht e pastaj ai nxori armën”, ka thënë Okshtuni për ngjarjen që ndodhi në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë.
Nga ana tjetër, autori i plagosjes, Ndriçim Jonuzi nënvizoi me anë të një video-mesazhi se nuk merret me politikë, por rasti në fjalë është përdorur për fushatë.