Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mëngjes në Has. Vëllai ka goditur me thikë vëllanë e tij, pasi ai i dhunonte të ëmën. Policia bën me dije se shtetasi R.H, ka qëlluar me thikë vëllanë 27-vjeç, pasi ky i fundit po dhunonte nënën.
Policia ka arritur të arrestojë autorin dhe në cilësinë e provës materiale është sekuestruar thikë, me të cilën dyshohet se ështe plagosur edhe 27-vjeçari.
Njoftimi i policisë
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale mjeti prerës thikë.
Sot, rreth orës 07:55, në spitalin e qytetit Krumë ka shkuar i plagosur me mjet prerës shtetasi S. H., rreth 27 vjeç, banues në qytetin e Krumës.
Nga intervistimi paraprak shtetasi S. H. ka pohuar se ishte vetëplagosur në banesën e tij.
Menjëherë grupi hetimor ka filluar hetimet dhe ka rezultuar se shtetasi S. H. ishte plagosur me mjet prerës thikë nga vëllai i tij, shtetasi R. H., pasi dhunonte të ëmën.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, në qytetin e Krumës, u bë e mundur kapja e autorit, shtetasit R. H., i cili shoqërohej së bashku me shtetasin G. B.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. B. iu gjet dhe sekuestrua mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se është plagosur 27-vjeçari.
Shtetasit R. H. dhe G. B. janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Has, për veprime të mëtejshme.