Ditën e djeshme Autoriteti Rrugor publikoi njoftimin për devijimin e mjeteve nga veriu nga rruga e Rinasit.
Për këtë, ditën e sotme ka reaguar kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia i cili shprehet se ky është një vendim i pamenduar dhe duhet të rishikohet nga autoritetet.
Reagimi i plotë i kryebashkiakut të Shkodrës:
Jam njohur me vendimin e fundit të ARRSH për devijimin e rrugës nacionale drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë në drejtimin nga Shkodra drejt kryeqytetit. Me shumë të drejtë, ka patur reagime të shumta të banorëve të Shkodrës lidhur me këtë vendim që dëmton Veriun e vendit.
Është një vendim i pa menduar mirë, që shkakton jo vetëm zgjatje të udhëtimit në kilometra por edhe shtim të kostos financiare për banorët nga Shkodra dhe zonat e Veriut drejt aeroportit “Nënë Tereza” dhe kryeqytetit.
Në emër të banorëve të Shkodrës, i bëj thirrje institucioneve që të rishikojnë këtë vendim absurd të marrë në dëm të banorëve të Shkodrës dhe mbarë Veriut të vendit.
Nga ana tjetër, ftoj të gjithë kolegët, drejtues të bashkive të tjera në Veri të vendit që t’i bashkohen kësaj thirrje në të mirë të qytetarëve, të cilët sot kanë nevojë për lehtësim dhe jo vështirësim të lëvizjes dhe rritje të kostove të jetesës.