Sikundër paralajmëroi në një konferencë të jashtëzakonshme, presidenti Meta u ndal në incidentin e ndodhur sot në Fier mes përfaqësuesve të LSI-së dhe Policisë Bashkiake. Ai e konsideroi një incident të turpshëm e banal. Më tej, Meta tha me ironi se do i vë disa postera Ramës në Fier, para se të shkojë në Vlorë, për të kënaqur egon e tij. Tejet i revoltuar, Kreu i Shtetit e cilësoi kryeministrin Rama si një provokator, që kërkon të shkatërrojë zgjedhjet e 25 prillit.
“Të mos bien pre e provokimit të bandës së Rilindësve. Ky është një incident i turpshëm dhe banal, por është edhe një provokim që ju gjoja të prishni mitingun që do bëjë Rilindja në Fier.
Kryetari i Bashkisë së Fierit duhet të shkojë në burg, për shkeljet e rënda që ka bërë. Prandaj, Kejdi komuniko me z. Ruçi dhe nëse vërtetë banderolat tuaja shqetësojnë kryerilindasin, hiqini ato sa të mbarojë mitingu dhe pastaj vini prapë.
Do i vë postera Ramës në Fier, para se të iki në Vlorë që të kënaqet ai. Provokator i ndyrë që kërkon të prishë zgjedhjet e së dielës.
Mprihni sëpatat dhe t’i keni gati për të dielën, dhe ashtu do bëjë gjithë Shqipëria e Fieri me në krye presidentin”, deklaroi Meta.