Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka zhvilluar sot një takim online me krerët e misionit të BE në Shqipëri. Në fokus të këtij takimi kanë qenë përgatitjet e fundit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Me anë të një postimi në rrjetet Soreca shkruen se 50 ekipe nga BE do të monitorojnë zgjedhjet e 25 prillit si në qendrat e votimit dhe në procesin e numërimit.
“U takuan sërish sot krerët e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri për të përfunduar përgatitjet për zgjedhjet e së Dielës më 25 Prill. Trupi diplomatik i BE do të vendosë 50 ekipe vëzhguese në qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të qëndrojnë aty gjatë procedurave të votimit dhe numërimit, në mbështetje të OSCE/ODIHR”, shkruan Soreca.
Kujtojmë që ditën e dielë shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të vendosur qeverinë që do të vijë në pushtet në 4 vitet e ardhshme.