Tiranës i është shtuar një tjetër destinacion turistik që pritet të thithë turistë vendas, por edhe të huaj, që janë të apasionuar pas sportit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi të parin “Zipline” në Shqipëri, që është njëkohësisht edhe më i gjati në rajon. Veliaj u shpreh se ky investim është një arsye më shumë për të dalë nga qendra dhe për të shijuar zonat rurale.
“Sfida për ne ka qenë si të vizitojmë Tiranen përtej sheshit Skënderbej, Bllokut, Pazarit të Ri dhe Kalasë. Sigurisht, filluam mirë me Liqenin e Farkës, por na duheshin ëndërrimtarë për të eksploruar edhe shtigjet e maleve në Farkë, në Shëngjergj, por edhe rrugët e shtigjet e biçikletave në Zall Bastar. Sot kemi realisht qershinë mbi tortë. I kemi dhënë arsye dikujt të dalë nga asfalti i Tiranës, për të shijuar këtë zonë fantastike, që është zona e Petrelës”, tha Veliaj.
Ideatori i këtij projekti Nadir Abdiu u shpreh se ajo që dikur mendohej si një çmenduri, sot është një realitet. Abdiu i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për mbështetjen në këtë iniciativë. Zipline Albania renditet mes 10 ziplineve më të mëdha në Evropë. Panorama që ofrohet është me një bukuri mahnitëse me kalanë e Petrelës, lumin Erzen dhe gjelbërimin.