Parukierja Zamira Senkaj ka mohuar që droga që iu gjet në sallonin e bukurisë të jetë e saja.
Gaztearja e Top Channel, Anila Hoxha shkruan se përballë trupës gjykuese, 54-vjeçarja tha se lënda narkotike, e ndarë në 18 qese, është lënë në sallonin e saj nga shoku i djalit, të cilin e kishte lejuar disa herë të kalonte natën në qendrën estetike, por që ajo vetë nuk kishte asnjë dijeni për këtë gjë.
“Erdhi në darkë, më tha: nuk kam çelësat e shtëpisë, më ka ikur mami me gjyshen, a të fle gjumë këtu. Dhe unë e lashë të flinte gjumë në parukeri, por unë nuk dija çfarë kishte ai, dhe të nesërmen erdhi policia, unë nuk dija gjë fare,” ka thënë Senkaj.
Në sallon policia ka gjetur një pjatë porcelani me kokainë mbi të e 18 qese të bëra gati për shitje, të mbushura me kanabis. Operacioni u zhvillua në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”. Pavarësisht dëshmisë, parukierja u la në burg për veprën penale të “moskallëzimi të krimit”, pasi dyshohet se e dinte që i shpalluri në kërkim Arluen Bega shiste lëndë narkotike dhe nuk e ka denoncuar rastin në polici. Për Begën, gjykata lëshoi masën arrest me burg në mungesë.