Si e mati tokën vetëm më një shkop matematicieni grek!

A keni dëgjuar ndonjë herë më parë për Eratostenin, matematicienin dhe astronomin grek i cili arriti të masë përmasat e tokës vetëm duke përdorur një shkop?

Kjo mendohet të ketë ndodhur rreth 2250 vjet më parë Eratosteni, matematicieni, astronomi, gjeografi dhe teoricieni i muzikës, lindur në Greqi, por që pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Aleksadrinë e Egjiptit. Kur të gjithë besonin se Toka ishte e sheshtë ai, jo vetëm e dinte se ajo kish formë sferike, por me një metodë të thjeshtë, që të habit edhe sot, përcaktoi perimetrin e ekuatorit dhe për rrjedhojë edhe rrezen e “shtëpisë” tone qiellore.
Eratosteni gjeti përmasat e Tokës vetëm duke përdorur një shkop të thjeshtë. Ju mund të thoni: – ‘E pamundur!’.

 

Por si arriti ai t’a bënte këtë?
Në qytetin e Sienës (tani me emrin Asuan), Eratosteni vërejti se ditën e parë të verës, në mesditë, Dielli qëndronte pingul mbi kokë. Ai e kuptoi këtë sepse në këtë orë drita e Diellit nuk krijonte fare hije në fund të puseve të thella. Por vuri re se në qytetin e Aleksandrisë, i cili ndodhej 5.000 stadë* në veri të Sienës, në të njëjtën ditë dhe orë Dielli krijonte hije. Nga kjo, Eratostenit i lindi një ide. (shif fig)
Ai nguli një shkop të thjeshtë, dhe, kur Dielli në mesditë arriti kupën e qiellit, mati këndin e hijes që bënte shkopi në Aleksandri. Këndi ishte 7,2 gradë nga vertikalja.
Eratosteni besonte se Toka ishte në formë sferike dhe ai e dinte që një rreth ka 360 gradë. Kështu që 360 gradët i pjesëtoi me këndin 7,2 gradë që kishte matur. Këndi i tij ishte sa 1/50 e një rrethi të plotë. Duke u nisur nga kjo, arriti në përfundimin se largësia nga Siena në Aleksandri ose 5.000 stadët, duhet të ishin sa 1/50 e perimetrit të Tokës. Duke shumëzuar 50-n me 5.000-n, Eratosteni arriti në shifrën 250.000 stadë që duhet të ishte perimetri i Tokës. Largësia 250.000 stadë sipas njësive të sotme është rreth 40.000 km.
Duke i rënë orbitës përreth me anije kozmike, astronomët matën perimetrin e Tokës dhe shifra që rezultoi ishte 40.008 kilometra! Pra, 2.250 vjet më parë, Eratosteni në mënyrë të habitshme iu afrua shumë llogaritjeve të sotme. Por një saktësi e tillë të habit edhe më shumë kur mendon se ky njeri përdori vetëm një shkop dhe një arsyetim logjik në gjeometri. Sot astronomët e përdorin këtë metodë gjeometrike për të matur largësitë jashtë sistemit tonë diellor.
E megjithatë sot ka ende që mendojnë dhe këmbëngulin që Toka është e sheshtë.
Stadi ishte njësia greke matëse për largësinë. Edhe pse vlera e saktë e saj ndryshonte nga njëri vend në tjetrin, një stad mendohet të ishte rreth 160 deri në 185 metra.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *