Sot deputetët do të mblidhen në një seancë të posaçme parlamentare.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të përcjellë në parlament mesazhin e tij nëpërmjet një video call.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka firmosur urdhrin për mbledhjen e seancës së posaçme.
Bëhet me dije se seanca do të nisë në orën 11:00 dhe Zelenky do të flasë nëpërmjet platformës Zoom.
Sipas urdhrit të Nikollës, Sekretari i Përgjithshëm ngarkohet për marrjen e masave për realizimin e infrastrukturës së nevojshme për realizimin e lidhjes direkte me presidentin e Ukrainës.
Ndërkohë pritet që Zelensky të informojë deputetët shqiptarë lidhur me situatën në Ukrainë dhe të shprehë mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë.
Që prej fillimit të luftës, presidenti i Ukrainës i është drejtuar disa parlamenteve në botë, ku ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen, duke kërkuar vazhdimisht ndihmë.
Sakaq, Shqipëria, anëtare e NATO-s është pozicionuar në krah të aleatëve perëndimorë dhe kë dënuar agresionin ushtarak të Rusisë mbi Ukrainë. Si dhe i është bashkuar sanksioneve ndaj Moskës.